Në një artikull të së hënës, (20.03) me titullin “Ballkani një rajon me rrezikshmëri të lartë”, gazeta “Die Welt” shkruan se sikur Bashkimit Europian të mos i mjaftojnë problemet me Brexit, populizmin, Trumpin dhe Turqinë, tani para dyerve të BE-së po rriten tensionet. Në shumë vende të Ballkanit situata zien. Në të njëjtën kohë përpiqen Rusia, Turqia, Kina, Arabia Saudite e Katari të rrisin influencën në rajon -një përzierje e rrezikshme. Kreu i Komisionit të Parlamentit Europian për Politikën e Jashtme, David McAllister, (CDU) thekson se “Ballkani është një rajon me rrezikshmëri të lartë, ku në një kohë të shkurtër një veprim i papërgjegjshëm mund të rindezë konfliktet që besonim se i kishim tejkaluar.”
McAllister: Shqipëria në rrugën e duhur
BE kërkon të kundërveprojë ndaj këtij rreziku duke sjellë një atmosferë të re në bisedimet e anëtarësimit. Shpresa nuk ka vetëm Serbia, shkruan “Die Welt”, por edhe Shqipëria. McAllister thekson, se “sipas Komisionit Europian, parlamentit dhe qeverive ky vend është në rrugën e duhur. Bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë mund të hapen brenda 12 muajve të ardhshëm, më së voni në fillim të vitit 2018”.
Eurodeputeti gjerman McAllister ka lëvduar ujdinë që arritën partitë politikë në Tiranë për reformën në drejtësi. “Ky ka qenë një kriter i rëndësishëm për fillimin e negociatave. Kur të fillojnë negociatat, do të hapet që në fillim çështja e shtetit ligjor”, ka theksuar europarlamentari me influencë në Bruksel. Por megjithatë McAllister e sheh Shqipërinë ende larg anëtarësimit në BE.
Serbi: Rrezik nga ndikimi rus
Ndërsa duke folur për Serbinë, e cila i ka hapur në janar 2014 bisedimet e anëtarësimit me BE, McAllister shikon përparime, por edhe probleme. Shqetësimi i tij është përpjekja ruse për influencë në këtë vend. “Moska përpiqet të ndikojë në mënyrë masive mediat, pjesë të shoqërisë civile në Serbi”, thotë eurodeputeti. BE me 1,5 miliardë euro asistencë financiare në Serbi është -me distancë- donatori më i madh në këtë vend që mbështet reformat dhe projektet ekonomike. Megjithatë McAllister është i vetëdijshëm, se në të njëjtën kohë Rusia perceptohet në Serbi si një nga mbështetësit më të mëdhenj të vendit. “Për BE kjo do të thotë që së bashku me ndihmën e politikës serbe dhe shoqërisë civile të bëjë më prezentë angazhimin e saj.”/DW/a.m.