Deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, ka sulmuar ministren e Arsimit, duke i ngritur disa pyetje që lidhen me maturën shtetërore, buxhetin për arsimin, por dhe aktet nënligjore të papërfunduara për ligjin e arsimit të lartë.
“Që prej vitit 2008 nga LSI dhe përfaqësues politikë të saj, ka së paku dy letra dhe kërkesa zyrtare në vit që lidhen me maturën shtetërore dhe pranimet në universitete. Besoj nuk është nevoja t’ju kujtoj gjithë diskutimet që kemi pasur bashkë në seancat plenare apo komisione. As interpelancat, as propozimet, as ndërhyrjet. Sigurisht ju do të fshiheni pas gishtit sot, sepse nuk ka argumente të tjera për të shpjeguar zullumin që është bërë me arsimin në Shqipëri”, shkruan Mehmetaj në faqen e saj në Facebook, duke iu përgjigjur replikës që ministrja Nikolla pati me deputeten tjetër të LSI-së, Monika Kryemadhi, një ditë më parë.
“Dëgjova me habi prononcimin tënd kundër praktikës së re të maturës shtetërore! E mirëkuptoj klimën e vigjiljes së fushatës, ashtu siç mirëkuptoj çdo kritikë, edhe nga ti vetë, pavarësisht se jemi shpjeguar jo një herë sy më sy për maturën shtetërore. Praktika e re e maturës shtetërore, që krijoi kushte krejt të reja konkurrueshmërie dhe transparence, është fryt i një pune të madhe e të përbashkët. Siç ti e di fare mirë, ka qenë një proces gjithëpërfshirës, ku janë dëgjuar me shumë respekt edhe vërejtjet e grupeve parlamentare, përfshirë edhe LSI-në. Jo vetëm kaq, po vetë Kryetari i Kuvendit ka ndihmuar personalisht për zhvillimin e një debati të brendshëm shumë konstruktiv mes përfaqësuesve politikë dhe ekspertëve të partive të koalicionit”, i përgjigjej Nikolla deputetes Kryemadhi.
Deputetja tjetër e LSI-së, Mehmetaj, pyet ministren se “Si e shpjegoni ju që, ndër gjithë ato fonde që janë shpërndarë pa teklif për tendera dhe koncesione me produkt të padukshëm, nuk keni sjellë fare përmirësim në infrastrukturën e shkollave, ku sot studion gjenerata tjetër?”.
“Përkundrazi, sot fëmijët bëjnë mësim edhe ditëve të shtuna, se nuk kishit menduar për ngrohje në ditët e ftohta të dimrit. E ç’ngrohje them unë, as xhama nëpër dritare nuk kanë shkollat nëpër Shqipëri”, shprehet Mehmetaj, ndërsa e mbyll reagimin e saj duke thënë se “ju vazhdoni qani hallin e votave, ne po qajmë hallin e njerëzve, tek e fundit për këtë na kanë votuar”. Ndërkohë edhe anëtari i Kryesisë së LSI-së, Shezai Rrokaj, ka sulmuar nga Vlora qeverinë dhe bashkinë duke i krahasuar rrugët e saj si Kandahar, ndërsa është shprehur se “Vlora, ndryshe nga Durrësi, nuk ka as port turistik dhe as tregtar”.
ma.me