LSI ka vazhduar sërish sulmin ndaj disa prej reformave të qeverisë. Deputetja, Monika Kryemadhi ka vazhduar sërish sot replikën me ministren e arsimit.
Pasi e quajti gabim për hatër të koalicionit votimin e reformës në arsim, ditën e sotme nga Peza, ku u mbajt aktivieti ‘Festa e Miqësisë’ me të rinjtë, Kryemadhi u ka bërë thirrje të rinjve që të mos bëjnë kompromis në kurriz të dijeve, pasi ministrat e deputetët ikin e vijnë.
“Thelbi i miqësisë sonë qëndron tek solidariteti dhe tek miqësia që kemi me njëri-tjetrin dhe ndihma që i japim njëri tjetrit. Unë kam vetëm një mesazh për ju, sepse këtu shumica janë gjimnazistë. Mësoni fort dhe mos bëni kompromis në kurriz të dijeve tuaja. Politikanët ikin dhe vijnë, sot kemi Ilir Metën kryetar të LSI, njëherë tjetër do kemi një gocë ose një djalë tjetër kryetar të LSI. Po kështu ministrat ikin dhe vijnë, e vetmja gjë që i ngelet këtij vendi janë dijet, janë ëndërrta tuaja të cilat mund të bëhen realitet. Vetëm me nxënës të ditur, të shkolluar dhe me një sistem arsimor të fortë ne do të kemi një të ardhme dhe një Shqipëri vërtet evropiane. As Shqipërinë e kanabisit dhe as Shqipërinë e plehrave. Shqipërinë e shqiptarëve.”, tha ajo.
Ndërsa, në lidhje me këto deklarata, një ditë më parë reagoi edhe ministrja e arsimit, Lindita Nikolla, duke mbrojtur punën që është bërë me reformën në arsim, si dhe ka premtuar se gabimet priten të korrigjohen këtë vit./a.ç