Emërimet për drejtuesit në strukturat shëndetësore universitare duket se është bërë shkak për debate në distancë përmes shkresave ndërmjet dy ministrive të rëndësishme.
Bëhet fjalë për dy letra kthim-përgjigje pjese e korrespondencës mes ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe Petrit Vasilit të Drejtësisë. Në thelb, ministria e Shëndetësisë nuk pranon emërime në projekte afatgjata të individëve në prag pensioni pasi kjo do të bënte që pas pak kohësh që drejtimi i projektit të mbetej përgjysmë.
Dokumentet që JavaNews ka siguruar mbajnë datat 10 dhe 15 mars, ndërsa ministri i LSI pretendon se vendimi i Shëndetësisë është një ‘element stigmatizues antieuropian’.
Vasili e cilëson paradoksale dhe antikushtetuese vendimin e Shëndetësisë, por nuk citon në asnjë moment nenet e Kushtetutës apo ato të konventave evropiane që shkelen. Një mungesë e tillë arsyetimi vërehet edhe nga ministri Beqaj në shkresën pasardhëse.
Letra e Petrit Vasilit më 10 mars mban titullin “Përcillet opinion shtesë” ç’ka nënkupton se është një letër e dytë në adresë të Ministrisë së Shëndetësisë. Ky fakt vihet re edhe nga përgjigja e Beqajt, shkruan JavaNews, i cili shpreh habinë sesi ministri i Drejtësisë mban dy qëndrime të ndryshme brenda 3 ditësh.
Ministri i Shëndetësisë thekson më tej se emërimi i kuadrove të vjetër që për më tepër janë në prag pensioni do të shërbente si demotivues për mjekët e rinj që dita-ditës largohen jashtë vendit.
“Në opinionin tuaj shtesë shpreheni se përcaktimi në pikën 2, gërma J të projektvendimit është antikushtetues, por nuk na ndriçoni se cili parim apo cila dispozitë e Kushtetutës cenohet” – i adresohet Beqaj ministrit të ri të Drejtësisë në shkresën që disponon JavaNews.al
Duket se kjo është përplasja e fundit institucionale mes ministrit Beqaj që pritet të lërë detyrën dhe emërimit të ri në krye të Drejtësisë nga LSI.
Kjo e fundit ka drejtuar ministrinë e Shëndetësisë gjatë qeverisë ‘Berisha’ dhe ministër nga radhët e saj ishte pikërisht Petrit Vasili. /JavaNews.al