Report Tv ka kryer një investigim për këtë fenomen, që sipas banorëve të zonës po i detyron të braktisin gjithçka dhe të largohen ku të mundin.
11 kilometra nga Tirana, në zonën e quajtur Zall Herr, ndodhet ky vendshkarkim mbeturinash i cili është shumë pranë lumit të Tërkuzës dhe shumë pranë banesave të kësaj zone.
Kamionët, siç shikohet në pamjet që sjell Report Tv kanë logon e bashkisë së Kamzës vijnë e shkarkojnë aty mbetjet urbane.
Lëvizjet e njerëzve brenda vendrrethimit të dampës, grumbulli i stërmadh i plehrave apo tymi që ngrihet nga djegia e tyre mund të vihen re edhe nga larg.
Mbetje spitalore, sende plastike, goma, qese, janë disa prej objekteve që vëmë re përgjatë rrjedhës së lumit.
Prania jonë aty tërheq vëmendjen e banorëve të zonës, të cilën na ndihmojnë për të gjetur vendin e saktë të depozitimit të mbeturinave.
Ata shprehen se prej vitesh ankesat e tyre, edhe pse të vazhdueshme, nuk merren parasysh, e kjo ka sjellë kohë pas kohe dëme shëndetësore dhe ekonomike për banorët.
“Na dhanë fjalën se do t’i groposnin. U bë rrethini, por si përfundim uji është i ndotur. Dhe kur këta i hapin mbeturinat me traktor, nuk rrihet te shtëpia nga era që vjen“, thotë një prej banorëve.
“Fëmijët kanë pasur probleme me mushkëritë. Zonë së fshatit Çerek i është ndotur komplet uji i pijshëm“, thanë banorët.
Vetëm 10 metra larg vendit ku depozitohen mbetjet urbane ndodhet një banesë. Edhe pse nuk do që të identifikohet në kamera, zonja e shtepisë na tregon pasojat që i solli ndërtimi i dampës. Uji në çezmën e tyre prej vitesh shkon i ndotur dhe ankesat deri më tani kanë rënë në vesh të shurdhër. E moshuara tregon se detyrohet të gjejë zgjidhje alternative për ujin, pasi ai që vjen nga pusi i saj është i ndotur dhe i papërdorshëm.
“Qëkur u futën plehrat, mu prish pusi. Me çfarë të jetoj unë? Ku të shkoj?“, thotë ajo.