Ish-kapiteni i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi, në një analizë që bëri pas ndeshjes për “Gol pas Goli”, kritikoi lojtarët kryesorë të korçarëve duke i cilësuar si përgjegjës për situatën e vështirë që po kalohet. Ai gjithashtu vuri në dukje se Skënderbeu e ka humbur identitetin e tij teksa nuk po kërkon më të gjejë golin e dytë por kënaqet me fitore 1-0.
Pse nuk fitoi Skënderbeu?
“Skënderbeu nuk fitoi sepse nuk bëri atë që bën gjithnjë, pra nuk kërkoi golin e dytë. Këtë vit Skënderbeu kënaqet shpejt me një gol dhe kërkon ta mbyllë ndeshjen 1-0 por duhet të kuptojë që edhe kundërshtarët luajnë futboll, aq më tepër kundër Kukësit që duhet ta respektonte dhe ta mendonte më të vështirë ndeshjen.”
Për ndeshjen
“Mendoj që Skënderbeu e nisi keq derisa shënoi golin për aftësi të Latifit, sepse po të ishte ndonjë lojtar tjetër vështirë të shënonte nga ai pozicion. Kukësi në minutat e para pati dy raste për gol, por pas golit Skënderbeu u mundua të bëjë lojën që duhet të bëjë, megjithatë nuk u ngjit në nivelin e tij. Kukësi është gjithnjë i kujdesshëm dhe në momentin që duket se po mundet, në atë moment shënon gjithmonë.”
Për pikat ku po çalon Skënderbeu
“Është e vërtetë që Skënderbeu nuk është në ditët më të mira. Lojtarët kryesorë nuk janë në formë dhe një prej tyre është Orelesi. Nuk më pëlqeu as Predesku, nuk u ngjit në nivelin që prisnim të gjithë. Sulmuesi që hyri e pritën me shumë entuziazëm, por nuk tregoi gjë. Fukui hyri për të ndryshuar lojën në minuta shumë të rëndësishme dhe nuk ia doli, as Muzaka nuk bëri atë që duhej.”