Pas takimit me Presidentin e Parlamentit Europian, Martin Schulz, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi sërish qeverinë për zgjedhjet vendore të 21 Qershorit. Në një prononcim për mediat, Basha tha se jo vetëm që nuk pati vullnet për dekriminalizimin por dyshja Rama-Meta çuan në kriminalizimin e mëtejshëm të pushtetit vendor.
Kreu i opozitës shtoi se me Presidentin e PE-së ndau shqetësimet për problemin e korrupsionit, krimit dhe mungesës së zgjedhjeve të lira.
“Marrëveshja për dekriminalizmin nuk ka funksionuar, s’ka vullnet nga qeveria. Nuk pati dekriminalizim, por kriminalizim të pushtetit vendor. Schulz ofroi mbështetje për dekriminalizimin; doganave u mungojnë 150 mln USD”, tha Basha.
Sa i përket rezultatit të zgjedhjeve Basha tha: PD nuk bën koka turku, por merr përgjegjësi dhe vendime.
Ndërsa për reformën në drejtësi kreu i opozitës tha se PD është gjithnjë në betejë për të drejtat e shqiptarëve dhe se selia blu ka vullnetin e mirë për ta bërë këtë reformë.