Në kuadër të luftës politike kundër George Soros, ishkryeministri Sali Berisha, dy ditë më parë, nga çadra e protestës me turne të opozitës, kërkoi publikisht që njerëzit e filantropistit me famë botërore të shpalleshin ‘non grata’ kudo. Më shumë se sa një mesazh për kundërshtarin e tij politik, kryeministrin Edi Rama, kërkesa e Sali Berishës tingëllon si një mesazh në adresë të Lulzim Bashës dhe si një kërcënim i hapur për mbi 15 figura të Partisë Demokratike, të cilët kanë lidhje të shumëfishta ose kanë qenë pjesë e strukturave të George Soros në Tiranë., raporton Shqiptarja.com
Nëse Berisha e ka të pamundur për të shpallur ‘non grata’ përfaqësuesit e grupeve të tjera politike të lidhur me Sorosin, ai ka mundësinë dhe ndikimin për ta nisur këtë proces me disa figura të Partisë Demokratike, të njohur si njerëz të Sorosit. Ata sot përbëjnë lidershipin e Partisë Demokratike, pjesë e rrethit të besuar të Lulzim Bashës dhe sigurisht të piketuar si kandidatë për deputetë. Po kush janë eksponentët e PD të njohur për lidhjet me Fondacionin SOROS? Lista nis me deputetin Genc Pollo, i njohur si bashkëpunëtor i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë – Soros. Madje, Pollo ka bashkëpunuar me SOROSin për projektin “Integrimi i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në edukim në Shqipëri”.
Po ashtu, Sekretari Organizativ i PD, Enno Bozdo, një ndër më të besuarit e Lulzim Bashës, njihet për lidhjet me SOROSin. Bozdo ka bashkëpunuar me Institutin e Trajnimit të Administratës Publike, për projekte të ndryshme, të financuara nga SOROS. Ervin Salianji, sekretar për Aksionin Qytetar në PD, dikur pjesë e Mjaft, njihet si produkt i SOROSit në partinë më të madhe në opozitë. Edhe kreu i Departamentit për Planifikimin dhe Zhvillimi Urban në PD, Besnik Alia, është një bashkëpunëtor i SOROSit në shumë projekte mbi qeverisjen vendore. Ndërkaq, Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Grida Duma, ka qenë menaxhere dhe konsulente e projekteve SOROSit për arsimin. Ishministri i Bujqësisë, sot deputet i Partisë Demokratike, Genc Ruli, bën pjesë tek rrethi i njerëzve që kanë bashkëpunuar me SOROSin. Madje Ruli ka bashkëpunuar me SOROSin për botimin “Kriza e kapitalizmit global: Shoqëria e hapur e rrezikuar”. Deputetja Jorida Tabaku, pjesë e rrethit të të besuarave të Bashës, ka marrë bursë studimi nga SOROS. Ndërsa Sherefedin Shehu, ka qenë konsulent financiar i SOROS.
Po ashtu, deputetja Majlinda Bregu rezulton bashkëpunëtore e SOROSt për një sërë publikimesh dhe projektesh për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Deputeti Edmond Spaho dhe ishdeputeti Bardh Kadilli, njihen gjithashtu për lidhjet me Fondacionin Shoqëria e Hapur për ShqipërinëSoros. Edhe kreu i Departamentit për Politikën e Jashtme në Partinë Demokratike, Kreshnik Çollaku njihet si investim i SOROSit. Gjithashtu, produkte të SOROSit janë edhe disa përfaqësues të botës mediatike, të afruar pranë Partisë Demokratike. Të lartpërmendurit, sigurisht që janë vetëm një pjesë të njerëzve lidhur me SOROSin në Partinë Demokratike, por që ditët e fundit, pas fushatës antiSoros të Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, kanë nisur t’i kamuflojnë lidhjet e interesave me strukturën e George Soros në Tiranë. Disa ditë më parë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka dhënë sinjalin e parë të distancimit nga George Soros dhe njerëzit e tij. Për herë të parë në karrierën e tij politike, Basha ka thyer heshtjen, duke sulmuar filantropistit me famë botërore, George Soros, një ndër njerëzit më me ndikim në politikën botërore dhe sigurisht edhe në politikën e Tiranës. “Liderë shqiptarë nga Shqipëria kanë ngritur pretendime të ngjashme lidhur me organizata të mbështetura nga diplomatë amerikanë apo nga Fondacioni Soros, të cilët influencojnë politikisht shtetet ku investojnë. Fondacioni për Shoqëri të Hapur dhe ekspertët e tij, të financuar nga USAID, kanë krijuar Dokumentin Strategjik kontrovers për Reformën në Drejtësi të shtetit shqiptar.
Disa lider besojnë se këto “reforma” synojnë t’i japin Kryeministrit dhe qeverisë së qendrës së majtë kontroll të plotë mbi drejtësinë. Efektet destabilizuese të lëvizjeve të tilla në një shtet anëtar të NATOs, janë të qarta ashtu si edhe rreziku për një përshkallëzim të mëtejshëm, në një kohë kur Shqipëria pret zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm”, ka deklaruar Basha.
Njerëzit e PD të lidhur me Sorosin sipas Shqiptarja.com
Genc Pollo
Genc Ruli
Enno Bozdo
Majlinda Bregu
Bardh Kadilli
Ervin Salianji
Besnik Alia
Gjergj Lezhja
Gerti Bogdani
Jorida Tabaku
Grida Duma
Sherefedin Shehu
Kreshnik Çollaku
Alfred Lela
Edi Lesi