Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar zyrtarisht falje Britanisë së Madhe për akuzën se ish-presidenti Barack Obama kishte përdorur shërbimin sekret britanik për të përgjuar telefonat e presidentit amerikan Donald Trump
Marrëveshja ka ardhur pasi Sekretari i Shtëpisë së Bardhë për Shtypin, Sean Spicer bëri publik pretendimin demaskues në përpjekje për të mbrojtur sugjerimet e mëhershme të Trumpit, se ishpresidenti Barack Obama kishte përgjuar kullën “Trump”. Vet Trumpi nuk ka dhënë ndonjë provë që mbështet pretendimin e tij, ndërsa disa ligjvënës kanë thënë se nuk ekzistojnë të tilla prova.
“Downing Street” njoftoi se ambasadori britanik në Uashington, Kim Darroch ka folur drejtpërdrejt me Sekretarin e Shtypit, Sean Spicer, ndërsa edhe këshilltari i kryeministres May për Sigurinë Kombëtare, Mark Lyall Grant ka komunikuar me njerëzit e administratës së Trumpit për t’i dhënë fund këtyre pretendimeve. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer ka kërkuar falje personalisht, pasi deklaratat e tij të mëparshme shkaktuan një incident të vërtetë diplomatik mes dy vendeve.
Ambasadori britanik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Kim Darroch u shpreh për mediat britanike se kishte biseduar personalisht në telefon me zëdhënësin e Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer dhe ky i fundit i kishte premtuar se një gjë e tillë nuk do përsëritej më asnjëherë./a.ç