Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Milva Ekonomi zhvilloi sot një takim me kryetarët e Bashkive bregujore për të diskutuar mbi marrjen e masave për fillimin e sezonit turistik 2017.
Ministrja Ekonomi informoi kryetarët e bashkive me punën që ka bërë deri tani Ministria e Turizmit, në drejtim të rregullimit të tregut të turizmit, përmes ndarjes së roleve të operatorëve ekonomik në treg: agjenci turistike, operatorë turistikë, udhërrëfyes turistikë si dhe për procesin e standardizimit të strukturave akomoduese, proces që ka nisur tashme. Ajo informoi dhe për punën e madhe të MZHETTS në drejtim të promovimit të Shqipërisë në një sërë panairesh ndërkombëtare, ndërkohë që sfida tashmë është për të mirëpritur fluksin e turistëve dhe për të ofruar një turizëm më cilësor, mjedise më të pastra, dhe më shumë aktivitete kulturore.
Ministrja kërkoi angazhimin e bashkive për përgatitjen e Sezonit Turistik Veror 2017 duke u fokusuar në: sinjalistikën ujore dhe rrugore, në përcaktimin e vendparkimeve të automjeteve, në furnizimin me ujë të pijshëm dhe sistemimin e rrjetit të kanalizimeve për ujërat e bardha dhe të zeza në destinacionet turistike; në menaxhimin e mbetjeve urbane të ngurta dhe mbetje të tjera me impakt negativ në mjedis, sidomos të mbahet në kontroll grumbullimi dhe largimi i mbeturinave nga zonat turistike drejt vendeve të depozitimit të paracaktuara; në kontrollin e subjekteve tregtare në destinacionet turistike për ekspozimin e çmimeve për produktet/shërbimet e ofruara, në vende të dukshme për publikun; në përgatitjen dhe trajnimi i rojeve të plazhit, etj
Ministrja kërkoi angazhimin e bashkive për aksionin e pastrimit të plazheve që do të kryesojë Ministrja e Turizmit, në javën Europiane të plazheve të pastra në fund të muajit Mars.
Ajo u kërkoi kryetarëve të Bashkisë që përveç përpjekjeve në drejtim të pastërtisë së plazheve, të përgatisin një kalendar të aktiviteteve kulturore dhe t’i dërgojnë në MZHETTS për të qenë më të koordinuar, dhe gjithashtu u kërkoi që gjithë muzeumet të jenë të hapura gjatë muajve të verës, pasi është momenti për të diversifikuar produktin turistik, pra turisti veç plazhit të këtë mundësi të argëtohet, dhe të shohë gjithë atraksionet që ka zona. Synimi është tha Ministrja Ekonomi, që të zgjasim ditën e qëndrimit të turistit në Shqipëri, ndërkohë që tashmë sezoni është zgjatur, dhe këtë e tregojnë kontratat e operatorëve turistikë të huaj nënshkruar me ata vendas nga muaji maj deri në fund të tetorit.
Krerët e Bashkive shprehën shqetësimet e tyre për situatën para fillimit të sezonit turistik. Shqetësimet e tyre kishin të bënin kryesisht me mirëmbajtjen e rrugëve lidhëse me plazhet. Kërkuan gadishmeri në furnizimin me energji, sidomos Bashkia Shëngjin, mbështetje me menaxhimin e mbetjeve dhe transportin e tyre në landfill, konkretisht në bashkinë Himarë. Ndërkohë Bashkia Pogradec theksoi nevojën për kuratorë te Bazilika e Linit, pasi shumë pak zbulohet për turistët, nga frika se dëmtohet, si dhe për financimin për një mënyrë rrethimi të rrugës së thepisur e të rrezikshme për te Guri i Kamjes, si një atraksion natyror në këtë zonë. Gjithashtu u ngritën çështje për të cilat do të bashkrendohet puna për të siguruar mbështetje financiare për më shumë produkteve turistike të secilës bashki përmes projekteve dhe për promovim të secilës prej këtyre bashkive bregujore.
Ministrja premtoi se disa probleme që nuk lidhen me MZHETTS t’i adresojë te ministritë përkatëse. U ra dakord që të zhvillohet një takim tjetër së shpejti për të diskutuar mbi masat që kanë marrë bashkitë para se të shpallin fillimin e sezonit turistik./a.m.