5 Maji 2015 duhej të ishte një e martë e zakonshme pune për të ngarkuarën e financës së konsullatës shqiptare në Milano, e cila u paraqit në Bankën Unicredit për të derdhur rrogat e punonjësve nga llogaria rrjedhëse.
Por ndryshe nga të martat e tjera çdo fillim muaji, ky veprim është kundërshtuar nga banka Unicredit, punonjësit e së cilës bënë me dije se llogaria rrjedhëse e konsullatës shqiptare ishte bllokuar pas një vendimi të 22 korrikut 2014 të Gjykatës së Apelit Romë për llogari të shoqërisë “Iliria Sh.p.k”.
Në të njëjtën ditë, konsullja e përgjithshme e Shqipërisë në Milano, Luljeta Çobani, i është drejtuar e alarmuar me një shkresë urgjente Ministrisë se Punëve të Jashtme, duke e njoftuar për situatën e krijuar.
“Ju bëjmë me dije se nga dita e sotme, të gjitha veprimet që kryejnë shtetasit shqiptarë për aplikim për pasaportë dhe veprime konsullore kalojnë në llogarinë e bllokuar,” i shkruan Çobani MPJ-së.
“Në këto kushte, jemi të mendimit që deri në zgjidhjen e situatës pagesat të bëhen me para në dorë, si për pasaporta dhe veprime konsullore. Me këto të fundit të mbulojmë shpezimet e konsullatës,” shtoi ajo.
Të dhënat dhe dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se situata e pazakontë e krijuar në Maj 2015 me bllokimin e llogarisë bankare të konsullatës së Milanos i ka rrënjët në një kontratë të lidhur midis qeverisë shqiptare dhe një sipërmarrësi italian në Mars të vitit 1991-në prag të rrëzimit të regjimit komunist në Shqipëri.
Kjo kontratë kishte për qëllim krijimin e një kompanie italo-shqiptare me me aksione të përbashkëta midis Ndërmarrjes Komunale në Plazhin e Durrësit dhe Iliria S.r.l në pronësi të investitorit napolitan, Angelo Frascino, për zhvillimin e zonës turistike të qytetit bregdetar.
Për shkak të ndryshimeve politike në vend, kompania italo-shqiptare nuk ka mundur të zhvillojë projektin e saj. Kjo nuk e ka penguar Angelo Frascinon që në maj të vitit 1993 t’i drejtohet gjykatës ndërkombëtar të Arbitrazhit, duke fituar një dëmshpërblim prej 48 miliardë liretash italiane kundër shtetit shqiptar.
Për më shumë se dy dekada, Iliria S.r.l dhe familja Frascino ka tentuar pa sukses të fitojë të drejtën për të ekzekutuar vendimin e vitit ‘93 në gjykatat shqiptare.
Por dështimi në Shqipëri nuk e ka shkurajuar kompaninë Italiane, e cila në Korrik 2014 ka arritur ta konfirmojë vlefshmërinë ligjore të Arbitrazhit dhe një vendim për ekzekutim të detyrueshëm ndaj palëve të treta, me të cilët Shqipëria ka marrëdhënie ekonomike në Gjykatën e Apelit dhe Tribunalin e Romës.
Autoritet shqiptare kanë reaguar me plogështi ndaj vendimeve të gjykatave italiane. Vendimi i arbitrazhit të vitit 1993, bashkë me interesin prej 13 % në vit për 23 vjet kap një vlerë prej 141 milionë eurosh dëmshpërblim në dëm të vendit.
Pala shqiptare është njoftuar për vendimin në rrugë diplomatike me notë verbale në Tetor 2014, por të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë që Avokatura e Shtetit nuk ka reaguar për mëse 8 muaj- deri në Maj 2015, kur pas bllokimit të llogarive bankare të Konsullatës, ka kontraktuar me urgjencë një avokat italian për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Apelit Romë.
Edhe pse tashmë i pezulluar, Avokatja e Shtetit Alma Hicka pranon se vendimi i gjykatës italiane ka krijuar një precedent të rrezikshëm për shtetin shqiptar.
Biznes me shtetin komunist
Kur biznesmeni napolitan, Angelo Frascino erdhi në Shqipëri në Mars të vitit 1991, regjimi gati gjysmë-shekullor komunist po përjetonte grahmat e fundit. Frascino i vuri syrin zonës së plazhit të Durrësit, e cila në atë kohë administrohej nga Ndërmarrja Komunale e Plazhit Durrës.
Frascino i propozoi qeverisë shqiptare një plan për zhvillimin turistik të zonës së plazhit të Durrësit me ndërtimin e resorteve, vilave, bankave, pallateve, kazinove apo njësive të banimit të përshtatshme për 60.000 banorë, me një afat kohor prej 20 vjetësh.
Megjithëse projektit i mungonte një faturë financiare, një vendim i Këshillit të Ministrave i marrë me 28 Mars 1991 – tre ditë përpara zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri, autorizonte ish Ndërmarrjen Komunale të Plazhit të Durrësit të krijojë shoqërinë e përbashkët italo- shqiptare me kompaninë e Frascinos “Iliria S.r.l.”
Një ditë para zhvillimit të zgjedhjeve në vend, gjatë heshtjes elektorale të 30 Marsit 1991, mes Iliria S.r.l dhe ish ndërmarjes komunale nënshkruhet kontrata e themelimit të shoqërisë mikse, “Durrazo-Iliria-Frascino, DIF,” e cila kishte për qëllim “ripërtëritjen (modernizimin) e plazhit të vjetër si dhe shfrytëzimin turistik të zonës bregdetare shqiptare.”
Kompania italiane e regjistruar nga Frascino, Iliria S.r.l zotëronte 51 % të aksioneve në kompaninë Italo-Shqiptare dhe pjesa tjetër zotërohej nga ndërmarrja komunale publike e Durrësit.
Për palën shqiptare, kontrata është firmosur nga ish kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Durrësit, Fatmir Minguli dhe ish drejtori i Ndërmarrjes Komunale të Plazhit të Durrësit, Jetgjat Todri.
Në lidhje me këtë kontratë kanë lindur divergjenca interpretative midis palës shqiptare dhe kompanisë italiane, e cila në bazë të nenit 2 të kontratës, filloi një gjykim arbitrazhi ndërkombëtar kundër qeverisë shqiptare në vitin 1993.
Gjyqi i arbitrazhit
Tre arbitra, mes të cilëve dhe shqiptari Fatmir Laçej morën me 19 Prill 1993 në shqyrtim padinë e bërë nga shoqëria Iliria S.r.l kundër shtetit shqiptar.
Tribunali i vendosur në Dhomën e Tregtisë në Tiranë për 6 muaj shqyrtoi të gjitha pretendimet e palës italiane në dështimin e marrëveshjes së zhvillimit të zonës bregdetare të gjirit të Durrësit.
Për qeverinë e asaj kohe, fakti që kjo marrëveshje ishte nënshkruar nga ish Ndërmarrja Komunale e Plazhit të Durrësit nuk legjitimonte përfshirjen e qeverisë si palë në arbitrazh. Në 6 muaj që zgjati ky proces, pala shqiptare është paraqitur vetëm në një seancë të vetme, e përfaqësuar nga avokatja Lejla Gjini.
Biznesmeni napolitan Frascino ka pretenduar gjatë gjyqit të arbitrazhit se qeveria shqiptare nuk i është përmbajtur kontratës së nënshkruar për zhvillimin e plazhit të Durrësit, për shkak se tokën pranë plazhit dhe pranë pyllit me pisha gjatë gjithë shtrirjes bregdetare ia ka dhënë palëve private për të kryer veprimtari bujqësore.
Pjesë e pretendimeve të Frascinos është dhe mossigurimi i kushteve dhe ambienteve për punë, si zyra apo dhe mjedise të tjera, që sipas kontratës ishin detyrim i ish Ndërmarrjes Komunale për t’i ofruar.
Angelo Frascino pretendoi gjithashtu se ai ka hartuar projektet për resortin turistik të quajtur “Epidamus” dhe atë të kazinosë “Diamant” dhe se ndryshimet e ndodhura me përmbysjen e regjimit komunist penguan zhvillimin e tyre.
Sipas akteve të paraqitura në arbitrazh, Frascino fajëson shtetin shqiptar se tokat e ndërmarrjes së përbashkët në zonën e Golemit, Qerretit dhe Karpenit, iu dha privatëve për ta përdorur për bujqësi, në vend që të zhvilloheshin për turizëm, sipas kontratës së lidhur me Iliria S.r.l.
“Shteti shqiptar ndryshoi ndarjen territoriale ndërmjet komunave, duke i dhënë komunës së Kavajës një pjesë të territorit të përfshirë në kontratë. Iu kthyen pronarëve të vjetër pasuritë e patundshme ekzistuese në terrenin objekt të kontratës duke shkelur në këtë mënyrë marrëveshjen e bërë më datë 30 Mars,” thuhet në pretendimet e bëra në Tribunal nga Angelo Frascino.
Pas 6 muajsh shqyrtimi të kontratës së nënshkruar në ditët e fundit të komunizmit në Shqipëri, trioja e arbitrazhit e udhëhequr nga profesori turko-qipriot Ahmet Aker, del me vendim në 3 shtator 1993, duke vendosur se qeveria shqiptare nuk i ka plotësuar detyrimet e marra përsipër ndaj palës italiane.
Trupa arbitrale vendosi dënimin e qeverisë shqiptare për t’i paguar si dëmshpërblim kompanisë Iliria S.r.l shumën prej 48 miliardë e 239 milionë lireta për dëmet e pësuara. Sipas Gjykatës, kjo shumë duhet të fryhet me interesa të mëtejshme në masën e treguar prej 13 % në vit, deri në datën e pagimit të saj të plotë.
Kjo trupë gjyqësore detyron shtetin shqiptar të paguajë edhe avokaten e palës italiane në shumën e 507 milionë liretave si dhe shpenzimet gjyqësore në vlerën e 150 mijë dollarëve amerikanë.
Ky vendim i gjykatës së arbitrazhit nuk është apeluar nga shteti shqiptar, ndërkohë që 5 vite më vonë, Angelo Frascino i drejtohet gjykatave shqiptare për njohjen dhe ekzekutimin e vendimit të tribunalit të arbitrazhit.
Beteja ligjore në Shqipëri
Biznesmeni Angelo Frascino, avokati i të cilit thotë se “të gjithë i puthnin dorën në Napoli” i është drejtuar gjykatave shqiptare për të legjitimuar vendimin e dëmshpërblimit nga shteti shqiptar në vitin 1998.
Më 10 prill të po atij viti, Gjykata e Apelit në Tiranë vendosi në favor të italianit në lëshimin e urdhrit të ekzekutimit në favor të shoqërisë italiane “Iliria S.r.l”.
Pas negociatave të dështuara për ta zgjidhur çështjen me mirëkuptim, qeveria shqiptare kujtohet të apelojë vendimin vetëm në shkurt të vitit 2005.
Sheti shqiptar pretendon se në momentin kur është nënshkruar kontrata, kompania Iliria Srl nuk ekzistonte, pasi është krijuar në prill të vitit 1991, dhe se në momentin e gjykimit të çështjes nga gjykata e arbitrazhit në vitin 1993, Shqipëria nuk kishte një marrëveshje me shtetin italian për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve të arbitrazhit ndërkombëtar.
Për më shumë se 10 vjet, gjykatat shqiptare nuk kanë mundur të japin një vendim përfundimtar për këtë çështje.
Vetëm në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese ka dhënë një vendim të formës së prerë duke e konsideruar si antikushtetuese kërkesën e shoqërisë italiane për dëmshpërblim, ku për shkak të interesit të akumuluar ndër vite, shuma e pretenduar ka arritur në 141 milionë euro.
Sipas avokatit që ka përfaqësuar Frascinon në Tiranë, Arben Hakani, kompanisë italiane i është mohuar një e drejtë legjitime.
“ Megjithëse unë nuk e përfaqësoj më këtë kompani, kjo çështje është zvarritur vetë në gjykatat shqiptare. Unë nuk di ç’po ndodh në Itali, por praktikisht tashmë kjo çështje është e humbur dhe pse e konsiderojnë një nga rastet më flagrante të shkeljes së të drejtës ndërkombëtare,” tha Hakani.
Fakti që drejtësia shqiptare nuk mundi ta zgjidhë këtë çështje prej më shumë se 10 vitesh është shfrytëzuar më së miri nga avokatët e Angelo Frascinos në Itali. Biznesmeni napolitan ka vdekur që në vitin 2007, por të afërmit e tij kanë zgjedhur një strategji të re për ekzekutimin e vendimit të arbitrazhit – atë të ndjekjes së çështjes në gjykatat italiane.
Reagimi i përgjumur i qeverisë shqiptare
Në kohën kur Gjykata Kushtetuese pritej të dilte me një vendim përfundimtar për çështjen në Shqipëri në korrik të vitit 2014, shoqëria Iliria Srl i është drejtuar gjykatës së Romës për njohjen dhe ekzekutimin e vendimit në shtetin italian.
Gjykata e Apelit të Romës, në tetor të 2014 njofton me një notë verbale qeverinë shqiptare për vendimin e saj për njohjen dhe ekzekutimin e vendimit në favor të shoqërisë Iiria Srl. Kjo notë verbale është pranuar zyrtarisht me 12 janar 2015.
Në 29 Janar 2015, presidenti i Tribunalit të Romës ka urdhëruar ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Apelit ndaj palëve të treta.
Në Prill 2015, avokati i Iliria S.r.l, Rosario Manzo ka kërkuar ekzekutimin e borxhit ndaj fondeve të destinuara për Shqipërinë në një numër institucionesh qeveritare italiane, bankash, kompani të huaja që kanë lidhje biznesi me Shqipërinë, apo kompani ajrore shqiptare që fluturojnë në Itali.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë që përveç bllokimit të llogarisë së konsullatës shqiptare në Milano, Iliria S.r.l ka tentuar të sekuestrojë edhe fondet e BE-së të destinuara për Shqipërinë, të menaxhuara nga Rajoni i Pulias, pjesë të një projekti rajonal të programit IPA, Altenergy. Vendimi i ekzekutimit është kundërshtuar nga Rajoni i Pulias me argumentin se fondet e projektit ishin të BE-së.
Dokumentet që BIRN disponon tregojnë se vetëm pas 8 muajsh nga vendimi i Gjykatës së Apelit të Romës, shteti shqiptar reagon për të marrë masat e duhura ligjore në apelimin e këtij vendimi.
Avokatura e Shtetit në Maj 2015 nis procedurat ligjore për kontraktimin në mënyrë të përshpejtuar të një studioje ligjore në Itali. Në një shkresë drejtuar kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Drejtësisë së kohës, Nasip Naço dhe atij të Jashtëm, Ditmir Bushati, Avokatura e Shtetit kërkon autorizimin për të kontraktuar në mënyrë të përshpejtuar një studio ligjore për të ndjekur çështjen në drejtësinë italiane.
Duke e argumentuar kërkesën me urgjencën që kërkonte çështja, Avokatja e Shtetit Alma Hicka i propozon një projekt-vendimin Këshillit të Ministrave, nëpërmjet të cilit do i çelej rruga përzgjedhjes së avokatit që do të mbronte interesat e shtetit shqiptar kundër kompanisë Iliria srl.
Propozimi i bërë nga Avokatura e Shtetit është quajtur i paligjshëm nga ish- ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, i cili nuk aprovon procedurat e Avokates së Shtetit. Por megjithë kundërshtitë e ish ministrit të Drejtësisë, propozimi i Avokates së Shtetit miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Me 18 Maj 2015, në Avokaturën e Shtetit ngrihet komisioni i vlerësimit të ofertave dhe kërkesa për ofertë u dërgohet 8 studiove ligjore dhe dy avokatëve në profesion të lirë në Itali. Pas tre ditësh, komisioni rimblidhet dhe në shqyrtim të dosjeve del në konkluzionin që vetëm dy subjekte i janë përgjigjur thirrjes brenda afatit ligjor; firma avokatore LexJus Sinasta LS dhe avokati Marco Porretti, i cili në mbledhjen e datës 25 maj 2015 zgjidhet si fitues nga komisioni i vlerësimit të ofertave.
Pas kontraktimit të avokatit italian, me 18 Qershor 2015 Shqipëria e apelon vendimin e Gjykatës së Apelit Romë, duke kërkuar pezullimin e vendimit të detyrueshëm ndaj palëve të treta, pezullimin e ekzekutimit të vendimit të arbitrazhit dhe të vendimit të Gjykatës së Apelit që e shpalli të vlefshëm në Republikën e Italisë.
Gjithashtu, me 25 Shkurt 2016, Avokatura e Shtetit ka bërë një padi penale kundër shoqërisë Iliria S.r.l.
Avokatura e Shtetit i tha BIRN se aktualisht procesi vijon në të dy shkallët e gjyqësorit dhe konkretisht në Gjykatën e Apelit të Romës dhe në Tribunalin e Romës.
“Sigurisht që njohja dhe ekzekutimi nga Gjykata Italiane e një vendimi arbitrazhi të pretenduar të vitit 1993 nuk e vendos Shtetin Shqiptar në pozicione të favorshme, por pala Shqiptare ka ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë përkatës dhe vlen të theksohet se në datën 19.02.2017, gjykata Italiane, në fazën paralajmëruese, vendosi pezullimin e ekzekutimit të vendimit kundrejt palëve të treta,” tha Avokatja e Shtetit, Alma Hicka nëpërmjet një përgjigje me shkrim.
“Pra deri më sot, nuk janë prekur interesat e Shtetit Shqiptar në raport me palët e treta në Itali të cilët bashkëpunojnë me Shqipërinë,” përfundoi ajo.