Manchester United është kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Evropës, pas fitores ndaj skuadrës ruse Rostov (1:0), por askush në “Old Trafford” nuk ka qenë shumë i gëzuar, shkruan zeri.info.
Legjendari Roy Keane veçanërisht është shprehur “alergjik” ndaj trajnerit Jose Mourinho dhe arsyetimeve të tij rreth orarit të ngjeshur të ndeshjeve. “Kurrë në jetë nuk kam dëgjuar ndyrësira të tilla. Përse duhet të dëgjoj këto fjalë? E pakuptimtë“, ka thënë Keane për “ITV” dhe më pas ka shtuar:
“Ai është trajner i Manchester Unitedit, njërës nga klubet më të mëdha në botë. Shikojeni çfarë skuadre ka, çfarë lojtarësh, ndërsa vazhdimisht vajton për orarin, lodhjen…”.
Keane nuk është ndalur me kaq. “Ndoshta United është skuadër e madhe për të dhe nuk mund t’i përballojë kërkesat. Për cilat ndeshje ankohet? Edhe rezervistët e Unitedit mund t’i fitojnë ato”, ka shtuar ish-ylli i Manchester Unitedit, përgatiti “Zëri”. (b.an)