Megjithëse Europa e kaloi testin e parë kundër populizmit me zgjedhjet në Holandë, duket sikur frika nuk ka mbaruar ende. Sondazhet në Francë vazhdojnë të favorizojnë lideren e Frontit Nacional për të fituar në raundin e parë të 23 prillit, por thonë se në 7 maj pastaj, ajo do ta humbe betejën me favoritin Macron.
Analistët politikë mendojnë se ndonëse Le Pen do të ketë kryesimin në fillim, votuesit e së majtës e së djathtës do të bashkojnë forcat për të mbështetur kundërshtarin e saj në raundin e dytë, duke i bllokuar kështu 48-vjeçares rrugen drejt pushtetit.
Por eksperti i politikës franceze, Bruno Cautres, mendon se pavarësisht skandaleve që kanë pllakosur Fillonin, duke i dëmtuar rëndë shanset e triumfit edhe pse deri vonë kryesonte garën për çelësat e Elize, ai nuk duhet konsideruar automatikisht jashtë lojës.
Nga ana tjetër, Cautres nuk ndan bindjen e shumicës se kur të dalin përpara kutisë se votimit, simpatizantët do të arrijnë t`i kapërcejnë linjat partiake. Sipas medieve ndërkombëtare, edhe pas humbjes së Gert Wildersit në Hollandë, shanset e Le Penit për fitore nuk janë shembur, ndërsa është ende herët që të flitet për një disfatë të populizmit në Evropë./a.ç