Partia Socialiste do të mbledhë ditën e premte Asamblenë Kombëtare të saj, një nga strukturat më të rëndësishme, ku do të diskutohet në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve lokale të 21 qershorit.
Burime për A1 Report janë shprehur se përveç analizës, ku do i kushtohet vëmendje sidomos rezultatit në ato zona ku e majta pësoi humbje, do të përcaktohen edhe piketat për Kongresin e dhjetorit, ku pritet të ketë zgjedhje të reja në gjithë strukturat e partisë, duke filluar me Asamblenë, Kryesinë, ndërkohë që pritet të ketë votime edhe për kryetarin e partisë.
Gjasat janë që kryeministri Rama të rikonfirmohet për një mandat të tretë në krye të Partisë Socialiste, ndërkohë nuk janë përcaktuar modalitetet si do të bëhet ky proces.
Më herët kryeministrit Rama në mbledhjen e parë të grupit parlamentar pas zgjedhjeve lokale, deklaroi se forca politike që ai drejton do të hyjë në një proces të gjerë reformimi, proces që në vitin 2017 kur janë dhe zgjedhjet parlamentare do e gjejë këtë forcë politike tërësisht të reformuar, një parti e re.
Ndërkohë nuk kanë munguar kritikat ndaj tij, sidomos nga deputeti Ben Blushi, sipas të cilit po anashkalohen strukturat, pasi zotit Rama i ka përfunduar mandati i kryetarit prej vitit 2013.
Kritikave të tij nuk i ka shpëtuar as mos mbledhja e Asamblesë, çfarë është një shkelje e rëndë sipas Blushit, pasi statusi i partisë parashikon mbledhje të saj çdo 3 muaj.