Ka qenë tre herë pjesë e kabineteve qeveritare. Edhe me Kushtetutën e re të vitit 2008. Ka qenë zyrtar i lartë i Kuvendit të Shqipërisë, duke udhëhequr procesin reformues më të rëndësishëm të 26 viteve të fundit: reformën në drejtësi. E megjithatë duket se rreth Fatmir Xhafajt, ministrit të ri ende të padekretuar të qeverisë Rama, ka një përpjekje për të krijuar një mjegullnajë llafesh e insinuatash, që tentojnë më së paku t’i prishin humorin në këto ditë pritjeje për t’u ulur në zyrën deri dje të Saimir Tahirit. Ose, me gjasë, edhe për të kërkuar diçka më tepër. Si për shembull, për të përdorur edhe një herë më tepër të shumëpërdorurin president të republikës, me qëllim zvarritjen apo edhe sabotimin e këtij emërimi.
Duhet thënë hapur dhe qartë: Xhafaj ka shumë armiq në këtë rrugë nga zyrat e Parlamentit, drejt ministrisë së Brendshme. Më së pari ka opozitën, e cila nuk ja fal atij opozitarizmin e gjatë brenda të majtës, dy vjetët e reformës në drejtësi dhe qëndrimin e qartë kundërshtues ndaj kauzave të saj. Këtij pozicioni i shtohet pa shumë makijazh dhe maskim edhe Ilir Meta, me të cilin Xhafaj u përplas fort në 21 korrik. As Meta nuk ja fal ministrit të brendshëm të propozuar reformën në drejtësi, për të cilën është i bindur se është diçka mes një komploti dhe një kurthi të Ramës dhe të huajve, për ta futur në telashe me drejtësinë. Duhet llogaritur në këtë listë edhe kreu i shtetit, me të cilin Xhafaj ka pasur më shumë se një replikë në distancë, për probleme të drejtësisë apo politikës.
Nëse i vendos në rresht këto personazhe apo faktorë me peshë në ambjentin shqiptar, mund ta kuptosh shumë mirë përsenë e daljes në këtë moment në skenë të ish të dënuarve ordinerë të 30 vjetëve më parë, që pretendojnë se janë dhunuar fizikisht nga Fatmir Xhafaj, teksa kanë qenë në proces hetimi. Megjithëse nuk ka asnjë provë që të provojë fjalët e tyre, megjithëse si opozita e sotme, si presidenti aktual (si pjesë e saj), kanë mandatuar në Gjykatën Kushtetuese apo të Lartë gjyqtarë që dikur kanë qenë vërtetë hetues e prokurorë të komunizmit me lista të gjata dënimesh – të gjithë këta flasin sot për ministrin e ri të brendshëm me nj qëllim të vetëm: të pengojnë e baltosin një procedurë ku Bujar Nishani është thjesht një noter institucional, duke u përpjekur të maisin sadopak edhe situatën e shfryrë brenda çadrës së bulevardit.