Sali Berisha, dora vetë, ka publikuar disa dëshmi për këtë.
Së fundmi në media është publikuar edhe intervista e një personi të quajtur Xhavit Koni, që ishte dënuar për tentativë vrasje.
Ai pretendon se Fatmir Xhafaj e ka rrahur personalisht, kur ka qenë në burg.
Ja çfarë thotë ai:
Për çfarë jeni akuzuar?
Unë jam akuzuar dhe dënuar për tentativë vrasje. Kam qenë 16 vjeç atëherë dhe për një problem familjar kam marrë hak. Personi nuk vdiq. Jam dënuar për tentativë vrasje dhe armëmbajtje pa leje. E kam pranuar krimin dhe kam deklaruar se jam i ndërgjegjshëm për veprën që kam bërë. U dënova me 25 vjet burg, por duke qenë se isha nën moshë, dënimi u përgjysmua.
Siç po thoja në dhomat e paraburgimit kam bërë 4 muaj hetuesi, me të ndjerin Arben Duka dhe Adem Sulën nga Kruja. Këta të dy qenë akuzuar se kishin festuar për vdekjen e Enver Hoxhës dhe kishin qenë bashkë në një grup.
Në atë kohë, Fatmir Xhafa, edhe pse nuk ishte hetuesi im më ka thirrur, se donte që dilja e të dëshmoja që Arbeni dhe Ademi ishin kundër sistemit.
E kujtoni bisedën me të?
Në fillim më futi në zyrë dhe polici më hoqi prangat që kisha në duar.
“Më trego çfarë muhabeti ke bërë me Arben Dukën dhe Adem Sulën.”, më ka thënë.
Pasi e pa që me të mira nuk mundi të nxirrte gjë, ka thirrur policin që ishte jashtë, më ka lidhur prangat gjermane me duar prapa, ndërsa këmbët m’i ka lidhur me zinxhirë pas karriges. Prangat m’i shtrënguan aq fort sa edhe sot e kësaj dite i kam shenjat në duar. Polici doli, ndërsa Fatmir Xhafaj më ka rrahur me grushta e shkelma aq fort, sa më ka plasur gjaku dhe për 4 ditë, nuk kam mundur të ngrihem dot nga dërrasat e dhomës së izolimit. Më kujtohet që ka patur aq shumë gjak, sa me një fije shkrepëse i kam shkruar një letër babës, duke përdorur gjakun si bojë.
“Mu po më mysin këtu, lëviz kërko diçka”, i shkrova.
Keni ndonjë dokument që e vërtetoni marrjen në pyetje nga zoti Xhafaj?
Dokument unë nuk kam, por besoj që duhet të jenë raportet që ka bërë mjeku, kur ka ardhur dhe më ka parë e më ka dhënë ilaçe për t’u shëruar.
Fatmir Xhafaj ka qenë edhe më parë në poste drejtuese dhe duket e çuditshme që dëshmitë kundër tij dalin tani.
Pastaj që vetë ai të rrihte të burgosurit, duket paksa e ekzagjeruar.
Aq më tepër pastaj që është shumë hipokrite të “kryqëzohet” vetëm ai, kur ata që na kanë drejtuar këto 27 vite, kanë qenë pjesë e atij sistemi.
Duke filluar nga Sali Berisha, për të cilin ka një dëshmi se ka ndikuar për dënimin e Hysen Shoshorit.