Disa javë pas miratimit të vendimit të Këshillit të Ministrave për legalizimin e shtesave në kate në pallate, Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni dhe Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI, Artan Lame zhvilluan një takim konsultues me banorë të njësisë numër 7 në Tiranë.
Ministrja Gjermeni bëri me dije se, pavarësisht problematikës së hasur, kryesisht në mbledhjen e informacionit të plotë për numrin e pallateve që duhet të legalizohen, të gjitha familjet që preken nga VKM do të kenë në duart e tyre lejen e legalizimit për banesat e tyre. Për këtë, Ministrja nënvizoi si shumë të rëndësishme bashkëpunimin e banorëve.
“ Bashkëpunimi juaj është shumë i rëndësishëm në identifikimin e problemeve dhe hartimin e dokumentacionit të nevojshëm që më pas do të ndiqet tërësisht FALAS nga ALUIZNI. Ju siguroj që në mënyrë të padiskutuar, ju dhe të gjitha familjet në të gjithë vendin që kanë derdhur djersën e tyre për blerjen e një shtëpie në pallate që preken nga VKM që miratuam në muajin Janar do të marrin lejen e legalizimit”, garantoi Ministrja.
Pas shqetësimit të disa prej banorëve për individë, të cilët gjatë këtyre javëve janë paraqitur pranë pallateve për të mundësuar legalizimin në këmbim të pagesës, Drejtori i ALUIZNI, Lame i bëri thirrje qytetarëve të mos pranonin “shërbime sekserësh”, pasi sipas tij, procesi do të kryehet FALAS dhe vetëm nga punonjës të ALUIZNI.
Me vendimin që Qeveria miratoi në muajin Janar të këtij viti, i hapet rruga afro 30 mijë familjeve shqiptare për të kryer procedurën e legalizimit dhe më pas hipotekimit pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për banesën që posedojnë në rreth 1 300 pallate.
Vendimi i miratuar parashikon që ALUIZNI ka detyrimin e njoftimit të ndërtuesit apo investitorit, të cilëve ju është lënë një afat prej 30 ditësh për kryerjen e procedurave të legalizimit për objektin.
Në ato raste kur ndërtuesit apo investitori nuk do t’i përgjigjet njoftimit brenda afatit të përcaktuar, atëherë i lind e drejta qytetarit të paraqesë pranë ALUIZNI kërkesën për legalizimin dhe hipotekimin e objektit që disponojnë.
Nga momenti i paraqitjes së kërkesës nga qytetari e deri në përfundim të procesit të hipotekimit e gjithë praktika do të ndiqet nga vetë ALUIZNI.
Në zbatim të Vendimit të Miratuar qytetarët nuk kanë asnjë detyrim financiar apo kosto shtesë për të paguar ndaj shtetit, pra e thënë ndryshe procedura e legalizimit për qytetarët do të jetë tërësisht falas.
Ndërkohë që ndërtuesit apo investitorit i lind detyrimi fiskal për pagesën e taksës së infrastrukturës për objektin e ndërtuar.
Pra nga njëra anë qytetarëve u lind e drejta e përfundimit të procedurave të legalizimit dhe më pas hipotekimit të banesave të tyre pa u penguar tanimë nga mos shlyerja e detyrimit financiar që kanë ndërtuesit apo investitorët dhe nga ana tjetër institucioneve shtetërore u lind detyrimi për ndjekjen e shlyerjes së detyrimeve fiskale të taksës së infrastrukturës nga këta ndërtues apo investitorë. /b.d