Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi zhvilloi një vizitë në biznesin e suksesshëm fason Mediteranea, në qytetin e Lushnjës. Ky biznes ka rreth 150 të punësuar dhe parodhon veshje për marka të njohura italiane.
Pasi inspektoi gjithë mjediset e biznesit, Ministrja Ekonomi u shpreh e impresionuar nga puna në këtë ndërmarrje dhe nga futja e risive të reja teknologjike. E veçanta në këtë sipërmarrje është se punonjësit janë trajnuar dhe trajnohen vazhdimisht nga ekspertë italianë, çka sjell një aftësim më të mirë të punonjësve për të prodhuar me cilësi më të lartë. “Jemi këtu për t’u njohur me nevojat që mund të ketë kjo sipërmarrje dhe për të parë mundësitë si MZHETTS mund të ndihmojë që ky aktivitet të ecë më përpara, të rrisë kontratat dhe për rrjedhojë punësimin”, -tha Ministrja Ekonomi.
Drejtuesit e kësaj sipërmarrje janë shumë të kënaqur deri tani me kërkesën e lartë nga brendet italiane për t’u prodhuar në këtë fasoneri, çka tregon se kur ka punë ka më shumë fitim, më shumë të punësuar.
Nga ecuria e deritanishme e sektorit fason, deri në fund të vitit 2016 shënohet një rritje e eksporteve në masen 18.3 % krahasuar me vitin 2015, ndërsa pesha e sektorit për 2016 në raport me totalin e eksporteve shqiptare është 43.8%. Nga AIDA gjatë periudhës 2014-2016 kanë përfituar nga fondet 34 kompani fason me vlerë 23 381 087.01 mln lekë.