Pas shtimit të kategorive të patentave, Ministria e Transportit nxori udhëzimin me tarifat që do të paguhen kur qytetari pajiset me leje drejtimi, përfshirë edhe 7 kategoritë e reja. Zv.drejtori i përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor, Gani Çupi, në intervistën për gazetën “Panorama” sqaron se udhëzimi ndan në grupe tarifat e pajisjes me leje drejtimi pas shtimit të kategorive të reja me qëllim shmangien e abuzimeve. Çupi tha se kjo taksë paguhet në momentin që shpallesh për herë të parë fitues për leje drejtimi dhe nga detyrimi përjashtohen qytetarët që rinovojnë patentën.
Çfarë parashikon udhëzimi i Ministrisë së Transporteve për tarifat kur pajisesh me leje drejtimi?
Në udhëzimin e mëparshëm, tarifat e pajisjes me leje drejtimi për automjetet ishin të ndara veç e veç për çdo kategori të lejes së drejtimit. Udhëzimi aktual, që është botuar në Fletoren Zyrtare, i ka grupuar tarifat, pra nuk ka asnjë lloj ndryshimi në tarifa. Sipas udhëzimit nr. 34, datë 29.12.2014 dhe udhëzimit të ri 136/3 15.02.2017, sjell vetëm grupimin për efekt të kategorive të reja të lejeve të drejtimit që janë shtuar. Nëse më parë ishin 8 kategori për lejet e drejtimit, me hyrjen në fuqi të ligjit, nga 1 janari janë 15 kategori të lejeve të drejtimit. Tarifa për kartonin e lejes së drejtimit vazhdon të jetë 3500 lekë, siç ka qenë, pra këto janë tarifa, apo le të themi më mirë taksa, që do t’i paguhen shtetit kur qytetari fiton të drejtën e lejes së drejtimit. Qëllimi i grupimit të tarifave pas shtimit të kategorive të reja bëhet me synimin që të mos krijohen ekuivokë apo keqpërdorime nga punonjësit. Pas hyrjes në fuqi të udhëzimit, tabela me tarifat do të jetë e afishuar në të gjitha pikat e regjistrimit, me qëllim që qytetarët të jenë në dijeni të taksës që duhet të paguajnë.
Kur paguhet taksa e lejes së drejtimit nga ana e qytetarit?
Kjo tarifë paguhet nga ana e qytetarit, pasi ai shpallet fitues për herë të parë për marrjen e lejes së drejtimit. Pra, pasi ka përfunduar shlyerjen e testimit të njohurive teorike dhe praktike. Për shembull, duke iu referuar tarifave të udhëzimit, nëse një qytetar fiton të drejtën për lejen e drejtimit të kategorisë B dhe B1, do të paguajë 4500 lekë, kurse për kategorinë AM, A, A1 dhe A2 është 3 mijë lekë, kurse për C dhe C1 dy mijë lekë dhe D1 tre mijë lekë. Kështu, nëse më parë tarifat kanë qenë të ndara për çdo kategori, tani ato janë të grupuara, por nuk ka ndryshim në vlerë. Është një taksë që paguhet në momentin që qytetari fiton të drejtën për t’u pajisur me leje drejtimi.
A ka nisur shpërndarja e patentave të reja dhe si do të veprohet me patentat aktuale?
Nuk ka më asnjë pengesë për shpërndarjen e patentave të reja. Janë mbyllur kërkesat e qytetarëve për patenta të reja të muajit janar dhe shkurt. Aktualisht po punohet me shpërndarjen e patentave, sipas kërkesave ditore të qytetarëve. Në rast se qytetari dëshiron të pajiset me patentën e re, e ka gjithë aksesin e mundshëm, por ligji nuk e detyron pa përfunduar afati i vlefshmërisë së patentës aktuale. Për drejtuesit e mjeteve, të cilët i kanë drejt përfundimit lejet e drejtimit, si p.sh. nëse një patentë e ka afatin e vlefshmërisë deri në fund të muajit mars, është i detyruar të kryejë rinovimin e patentës. Nëse kërkon të kryejë rinovimin e patentës, duhet të sjellë raportin mjekësor që vërteton që është i aftë të drejtojë mjetin. Për rinovimin e patentës, qytetari do të paguajë vetëm 3500 lekë dhe nuk do të paguajë tarifën e mësipërme që paguhet kur shpallesh për herë të parë fitues për marrjen e lejes së drejtimit. Duhet theksuar se leja e re e drejtimit i plotëson të gjitha kushtet e standardeve europiane.
Si ka ndryshuar mosha për afatet e vlefshmërisë së patentës?
Për ata drejtues mjetesh që pajisen me lejen e drejtimit deri në moshën 50 vjeç, afati i vlefshmërisë nuk ka ndryshuar: është deri në 10 vjet. Për lejet e drejtimit të kategorisë A, B dhe BE, patenta ka qenë e vlefshme për 5 vjet kur janë dhënë nga drejtuesit me moshë mbi 50 vjeç deri në 60 vjeç. Tani, afati i vlefshmërisë së patentës 5 vjet përfshin edhe moshën deri në 70 vjeç. Patentat kanë qenë të vlefshme 3 vjet për personat që e kanë marrë patentën mbi 60 vjeç, tashmë ky afat vlefshmërie është edhe për personat që marrin patentën nga mosha 70 vjeç deri në moshën 80 vjeç. Për moshën mbi 80 vjeç, afati i lejes së drejtimit është 3 vjet, e shoqëruar çdo vit me nxjerrjen e raportit mjekësor.
DORINA AZO/PANORAMA