Kriza politike pothuajse dy vjeçare në Maqedoni është duke vazhduar.
Mijëra maqedonas janë duke protestuar tanimë për dy javë me radhë, kundër zyrtarizimit të gjuhës shqipe, kurse përkrah protestuesëve “rreshtohet” edhe Presidenti Ivanov.
Presidenti Gjorge Ivanov po mban anën e protestuesve pasi deri më tani ka refuzuar t’i jap mandatin një qeverie koaliconi, që do ta linte jashtë partinë kryesore nacionaliste.
Kurse sipas njohësve të zhvillimeve në vend, kriza politike është duke marrë përmasa të mëdha.
Mosstabiliteti si pasojë e krizës politike
Sipas njohësit të zhvillimeve Xhenur Iseni, kjo krizë politike mund të merr edhe kahje të dhunshme dhe të padëshirueshme.
“Kriza politike po merr përmasa të mëdha dhe ajo mund të zgjidhet shumë shpejtë apo edhe mund të marrë kahje të dhunshme të padëshiruar në të njëjtën kohë.
Qytetarët e vendit, përkatësisht taksapaguesit nuk e dëshirojnë prishjen e marrëdhënieve ndëretnike dhe eskalimin e situatës, sepse qëllimi i vetëm i njerëzve më të lartë të VMRODPMNE është të mos përplasen para murit të drejtësisë.
Po i njëjti grup nuk e ka shqetësim fare që viktimë e gjithë kësaj qasjeje destruktive të tyre të jetë edhe populli, gjegjësisht të pësojë popullata. Kjo fatkeqësisht po ndikon edhe në stabilitetin e Maqedonisë e sidomos me mediat ( e kontrolluara) nga këta persona të afërt me ishkryeministrin Gruevski” shprehet Iseni.
Ndërsa, analisti Mensur Krasniqi pohon se si pasojë e krizës politike nuk ka stabilitet në Maqedoni. Sipas Krasniqit, përveç krizës politikoinstitucionale kanoset rreziku për transferimin e saj në konflikt ndëretnik.
“Është evidente se (mos)stabiliteti i një shteti vjen si refleksion i krizës politike.
Në Maqedoni përveç krizës politikoinsitucionale kanoset rreziku i transferimit të saj në konflikt ndëretnik. Mirëpo fatmirësisht niveli i vetëdijes te qytetarët nuk është i njëjti, tani askush nuk po e dëshiron luftën.
Madje jo më larg se dje, edhe njësiti special maqedonas, “Tigrat”që ishin pjesë e ushtrisë së Maqedonisë gjatë konfliktit të vitit 2001 nëpërmjet Facebookut kanë apeluar për qetësi dhe maturi duke thënë se Maqedonisë nuk i duhet luftë e re.
Me të njëjtat tone është përgjigjur edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇKsë, Besim Hoda, sipas të cilit lufta apo forca është mënyra më primitive për të zgjedhur problemet mes njerëzve” thekson Krasniqi.
Kriza do të zgjidhet Kurse, ndryshe mendon politologu Xhenis Sulimani. Sulimani pohon se nuk mund të ndizet ndonjë konflikt ndëretnik.
Sipas Sulimanit, kriza është institucionale, prandaj do të zgjidhet. “Asnjë skenar i errët i qarqeve dashakqija nuk mund të ndezë konflikt ndëreretnik në Maqedoni. Kriza është institucionale dhe në institucione do të zgjidhet! Presidenti Ivanov me mosdhënien e mandatit Zoran Zaevit ka vulosur krizën institucionale” pohon Sulimani.
Ai shton se shqiptarët nuk duhet të bien pre e provokimeve dhe krizën institucionale ta bartin me vete që ta shndërrojnë në krizë ndëretnike.
“Në këtë rast shqiptarët s’kanë çka bien pre e provokimeve dhe krizën institucionale të shtetit ta bartin me vete dhe ta transformojnë në krizë ndër etnike.
Për faktin se ky është qëllimi i VMROsë, të krijojë pasiguri më vend për t’i mbuluar të palarat, dhe manipulimet institucionale që ka bërë qeverisja VMROBDI e që u vërtetuan edhe në të bombat e opozitës. Jam i bindur se qytetarët janë të vetëdijësuar dhe nuk kalon asnjë skenar i errët” thekson Sulimani.
Inskenime të Gruevskit
Kurse, ditë më parë kishte raportime në medie se Policia e Maqedonisë bashkë me prokurorinë kishin nisur hetimet për gjetjen e personit i cili kishte lëshuar deklaratë të rrejshme në media se Komandant Nacisti bashkë me 80 ushtarë të UÇKsë dhe AKSHsë janë në Malësinë e Sharri.
Mirëpo kjo sipas njohësve të zhvillimeve në vend, kjo është e tëra e montuar nga njerëzit e Gruevskit, sepse dëshirojnë defokusimin e opinionit dhe futjen e frikës tek qytetarët.
Sipas, Xhenur Isenit, përmes këtyre inskenimeve, njerëzit e afërt me Gruevskin dëshirojnë t’i mbulojnë “krimet” e tyre dhe aferat korrupitve.
“ Personat e afërt me Gruevskin po inskenojnë dhe plasojnë para opinionit publik nga më të ndryshmet, përfshirë edhe atë të fundit se kinse qenkan krijuar grupe të armatosura shqiptare që dëshirojnë të rrënojnë Maqedoninë. Unë aspak nuk i besoj këto lloj plasimesh nëpër mediat vendore.
Them kështu duke pasur parasysh synimet e qarta të rrjetit të Gruevskit për zhvendosjen e vëmendjes nga çështjet kyçe në interes të qytetarëve dhe të së ardhmes së Maqedonisë përmes defokusimi pra të opinionit dhe mbjelljes frikë tek ta me qëllim që të mbulohen “krimet e tyre” dhe aferat korruptive të tyre që dolën nga përgjimet e bëra publike nga opozita maqedonase.
Tash po i njëjti grup me në krye Gruevskin po e krijon një armik fantom të përbashkët të jashtëm të llojit që paguesit për të prishur marrëdhëniet ndëretnike dhe Maqedoninë” shprehet Iseni.
Sipas tij, akuza të këtilla VMRODPMNE ia ofronë vetëm një pjesë të popullit maqedonas. “ Dhe akuzat e këtilla VMRODPMNE po ia ofron një pjese të popullit maqedonas dhe po i drejton në adresë të shumëkujt: Ambasadorëve e vendeve perëndimore, Shqipërisë…
Por problemet e grumbulluara në Maqedoni, nuk duhet kërkuar gjetiu pos brenda vendit. E fajtori e madh është vet VMRODPMNE e cila gabimet e saja tash po tenton që t’i fsheh dhe hedhë të tjerëve me petk nacionalistë dhe ksenofob e antishqiptarë. Sepse fajtorë janë vetë ata. Shihni retorikën e tyre tash para formimit të qeverisë së re dhe rrugën e VMRODPMNE për në opozitë, dhe nuk do hamendje se kush është fajtori” pohon Iseni.
Ai thotë, se shqiptarët nuk duhet të bien pre e provokimeve që pastaj situata të eskalojë. “Personalisht mendoj se nuk duhet të biem pre e këtyre grackave që të vetmin qëllim e kanë nxitjen e ekstremit të palës tjetë
Shpresoj se këtë komoditet/luks dinak nuk do ua ndihmojmë e as që të biem pre e këtyre provokimeve që mund të eskalojnë situatën jashtëzakonisht shpejtë.
Mendoj se shqiptarët e Maqedonisë dhe i gjithë spektri i tyre politik do të duhej që të dëshmojnë para faktorit ndërkombëtar, por edhe para maqedonasve të hutuar nga manipulimet e VMRODPMNE dhe Gruevskit, se ne shqiptarët kemi qenë dhe jemi ithtarë të paqes e të dëshmojmë në të njëjtën kohë se përveç ekstremit ortodoks maqedonas, konservativ dhe fashist të VMROsë, ekstrem tjetër në Maqedoni nuk ka dhe nuk do të ketë.
E këtu mund të ndihmojë shumëkush. por jo edhe deklaratat nga jashtë si ajo e djeshmja e deputetes nga Shqipëria, Mesila Doda” pohon Iseni. Kërcënime jo serioze Kurse, analisti Mensur Krasniqi thotë se këto grupet ushtarake nuk duhet të shihen si kërcënime serioze gjersa nuk i dihet identiteti i tyre.
Sipas Krasniqit, problemi më i madh i Maqedonisë janë aktorët politikë. “ Sa i përket grupacioneve ushtarake që paraqiten kohë pas kohe me emërime të ndryshme, nuk mund të mirren si kërcënime serioze derisa nuk dihet identiteti i tyre.
Problemi më i madh i Maqedonisë është se aktorët politik nuk e kanë dertin e funksionimit të një shteti juridik, nga që në këtë formë me dorën e tyre do ta shkruanin fatin e zi për vete.
Kriminaliteti tek ata është aq i zgjeruar dhe theksuar sakaq, as burgjet e Maqedonisë nuk do t’i mbledhin” pohon Krasniqi.
Ai pohon se inatet politike do të tejkalohen dhe do të arrihet ndonjë kompromis. “ Vlerësoj se ngadalë do të tejkalohen inatet politike dhe të arrihet ndonjë kompromis ndërmjet partive parlamentare si nga blloku politik maqedonas, ashtu edhe nga ai shqiptar, ndryshe çdo skenar tjetër është i rrezikshëm për shtetin dhe qytetarët” përfundon Krasniqi. /INA/a.m.