Kryetari i Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi, në një konferencë për shtyp, e cilësoi “tërësisht politike” kërkesën e prokurorisë për heqjen e mandatit të tij në zbatim të ligjit te dekriminalizimit.
“Kërkesa e prokurorisë është tërësisht politike dhe synon dëmtimin e imazhit tim përpara elektoratit. Jam i gatshëm të përballem me ligjin, nëse do të më kërkohet”, u shpreh ai.
Të premten e kaluar Prokurori i Përgjithshëm i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ndërprerjen e mandatit për kryebashkiakët e Tepelenës dhe Poliçanit, Tërmet Peçi dhe Adriatik Zotkaj.
“Nga verifikimet e deritanishme që u janë bërë zyrtarëve të niveleve të ndryshme, prokurori i ka kërkuar KQZ-së heqjen e mandatit të kryebashkiakëve të Tepelenës dhe Poliçanit, të dyshuar për vepra penale që nuk i kanë deklaruar dhe njëherësh ka filluar procedimin penal për falsifikim dokumentesh”, u shpreh kryeprokurori Adriatik Llalla.
Sektori i Dekriminalizimit, pranë organit të akuzës, ka konstatuar se Tërmet Peçit i duhet ndërprerë mandati i kryebashkiakut pasi rezulton se nuk ka treguar për një dënim penal të formës së prerë të vitit 2004 nga Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër për veprën penale të “Përdorimit të dokumentave të falsifikuar”, për të cilën është dënuar me 150 mijë lekë gjobë. /b.d