Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani priti sot Ministrin e Jashtëm italian, Angelino Alfano, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Presidenti Nishni shprehu mirënjohjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve për ndihmën e madhe e shumë dimensionale që Italia dhe populli italian i kanë dhënë, veçanërisht pas viteve ’90, për rimëkëmbjen ekonomike e sociale të vendit, pas dekadash izolimi nga diktatura.
“Marrëdhëniet dhe lidhjet mes dy vendeve tona janë sa historike aq edhe kulturore, dhe partneriteti ynë strategjik i ka të gjitha mundësitë dhe hapësirat për t’u zhvilluar dhe pasuruar më tej, si në nivel dypalësh ashtu edhe në atë evropian” – u shpreh Presidenti Nishani.
Kreu i Shtetit shprehu në mënyrë të veçantë, mirënjohjen për mbështetjen shumë domethënëse e përmbajtjesore që Italia i ka dhënë Shqipërisë në kuadrin e procesit të integrimit evropian. Duke theksuar se, integrimi evropian mbetet projekti strategjik më madhor i shqiptarëve, Presidenti Nishani u shpreh se “Italia ka qenë dhe mbetet një nga avokatet më të mira të Shqipërisë në këtë proces dhe kam shumë besim se kjo mbështetje do të vijojë edhe në të ardhmen”.
Presidenti Nishani vlerësoi dhe përshëndeti gjithashtu angazhimin e Italisë në kuadrin e ruajtjes së vëmendjes së Bashkimit Evropian ndaj të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe shprehu besimin se në Samitin e Triestes, procesi i Berlinit do të pasurohet me projekte konkrete zhvillimore.
Në këtë kontekst, Presidenti e konsideroi vizitën e Ministrit Alfano në Shqipëri dhe rajon, si shprehje e qartë e vëmendjes së lartë që Italia i kushton këtij rajoni anëtarësimit të tij sa më të shpejtë në BE. /b.d