UPDATE/ Kryeministri Rama e cilësoi lirim nga detyra dhe jo shkarkim largimin nga kabineti qeveritar të katër ministrave të tij, Tahiri, Beqaj, Klosi dhe Çuçi. I ftuar në “Top Story” përballë gazetarit Sokol Balla, Rama shpjegoi domosdoshmërinë e angazhimit të ministrave si drejtues politikë në qarqe me kohë të plotë.
Edhe në emision, Rama nuk ngurroi të vlerësojë punën e Damian Gjiknurit si drejtues politik i PS-së në Vlorë. Ai foli edhe për ndikimet e vendeve që nuk i duan të mirën Shqipërisë në një situatë destabiliteti.Rama i sugjeroi kreut të opozitës të informohet se çfarë interesash luhen për vendin, për sa kohë që ajo ndodhet në protestë dhe bën thirrje për rrëzim të qeverisë të zgjedhur me votë. Rama vlerësoi maksimalisht mundësinë e vijimit të koalicionit qeverisës me Ilir Metën për zgjedhjet e ardhshme.
Lajmi kryesor është ndryshimet në qeveri. Nëse pyet opozitën, thotë ditët e fundit të Republikës së vjetër, nëse pyet një mbështetës të LSI-së, thotë se janë ditët e fundit të Edi Ramës, nëse pyet një socialist, do të thotë se nuk e di se çfarë po ndodh. Qeveria u është nënshtruar disa ndryshimeve të thella. Cilat janë arsyet e vërteta pas këtyre lëvizjeve? Përse e larguat Saimir Tahirin?Unë nuk e kam shkarkuar Saimir Tahirin, nuk kam shkarkuar asnjërin prej ministrave. Jemi sot në një moment kyç. 18 qershori nuk vendos vetëm kush fiton zgjedhjet, por edhe si do të jetë Shqipëria pas 10 vitesh. Shqiptarët votojnë për katër vitet e ardhshme, jo për 10 vitet e ardhshme, tani më thoni përse u largua Saimir Tahiri nga Qeveria? Refuzoj që të qëndroj këtu, nëse nuk më lejoni të vazhdoj të jap përgjigjen. Nuk e cakton ti është apo jo kushtetuese dhe gjithë kjo ndërprerje ishte e pavend. 18 qershori përcakton sesi do të jetë Shqipëria pas 10 viteve, ashtu sikundër zgjedhje të caktuara kanë përcaktuar Shqipërinë që ne trashëguam, ashtu zgjedhjet përcaktojnë Shqipërinë e gjeneratës tjetër. Janë zgjedhje që vendosin nëse ky vend do të bëhet shtet, ku gjykatësit dhe prokurorët japin drejtësi dhe nuk e tregtojnë, nëse do të jetë vendi ku fëmijët tanë do të kenë një të ardhme më të mirë. Kjo ka të bëjë me vizionin dhe perspektivën e këtij vendi, sepse 18 qershori është një zgjedhje afirmative për botën që po mundohemi të ndërtojmë dhe asaj që trashëguam në 2013. Unë kam bindjen se është ky momenti që ministrat që kanë një barrë shumë të madhe si ministra, por janë ndërkohë edhe drejtues qarqesh për PS. Saimir Tahiri është liruar nga një detyrë që kërkon një angazhim shumë të madh për të folur derë më derë dhe fshat më fshat në Tiranë, për të treguar sesi ndërtuam Policinë e Shtetit dhe gjithë reformat dhe sesi me të njëjtën vendosmëri do të shtojmë reformat dhe këtë vend përpara. Kjo është një betejë që e kemi me njerëzit.
Më shpjego ndryshimin mes Saimir Tahirit dhe Damian Gjiknurit?
Gjiknuri ka filluar një punë intensive prej kohësh në Qarkun e Vlorës dhe është duke e përballuar atë punë me gjithë ato parametrat që kërkohen.
Tahiri po bënte më keq punën e drejtuesit të Qarkut të Tiranës?
Nuk është e njëjta gjë. Beteja e Tiranës është një betejë ku ne kemi ambicie që të fitojmë edhe më shumë se katër vite më parë. Damiani ka përballuar deri më tani ritmin e nevojshëm. Nëse nuk e përballon, mund të ndryshojë.
Përse nuk largoheni ju i pari, për të drejtuar PS, të shkosh në terren, të flasësh me njerëzit, kënaq dhe kërkesat e opozitës për qeveri teknike?
Unë jam kryetar i PS, nuk jam drejtues në një qark. Jam kryeministër dhe unë kam mandat kushtetues dhe një kontratë që jam në gjendje ta zbatoj plotësisht, sepse nuk është se ikën ministrat për të parë punët e partisë dhe qeveria mbeti bosh. Këtu ministrat janë zëvendës nga ministra dhe ministre që do të garantojnë që për asnjë sekondë puna e qeverisë të mos ndalojë. Mos u merrni me teori konspiracioni. Qëllimi i kësaj lëvizjeje është ky dhe vetëm ky. PS sot është në domosdoshmërinë që të shtrihet në territor dhe të udhëhiqet në këtë punë kaq voluminoze. Fatmir Xhafaj, një zgjedhje që nuk ka kaluar pa koment. Besoj fort që është zgjedhja e duhur dhe do të vazhdojë punën e bërë nga Saimir Tahiri.
Do të jetë kryetar i Reformës në Drejtësi?Natyrisht që jo. Komisioni e ka përmbyllur misionin e tij.
Cili është mesazhi që u përcillni atyre që nuk kanë qenë shumë dashamirës në lidhje me ecurinë e Reformës në Drejtësi?
Kjo është zgjedhja e 18 qershorit. Fokusi im është te 18 qershori, jo 18 shkurti dhe ne po organizojmë fazën finale të një mandati, ku krahas detyrës së qeverisë pa asnjë boshllëk të kryejmë një detyrë shumë të madhe; të tregojmë çka kemi bërë dhe çka duam të bëjmë dhe çka rrezikon vendin në 18 qershor, dhe për këtë arsye të marrim një besim edhe më të madh se ai i 2013 për të bërë shtet, për të pastruar sistemin e drejtësisë dhe për të hapur shtigje të reja punësimi e rritje ekonomike.
Çfarë rrezikon vendi në 18 qershor?
Shumë, nëse besimi i cili ne kërkojmë të rikonfirmohet nuk është në atë forcë dhe me atë përcaktueshmëri bindëse nga pikëpamja e votës që kërkon mandati i dytë për të çuar përpara reformat që bëjnë shtet.
Në raportin e mbledhjes së Kryesisë së PS, sipas burimeve, keni thënë që çadra e protestës mbështetet nga shtete që jo domosdoshmërisht i duan të mirën vendit tonë. A është e vërtetë dhe nëse po, çfarë keni dashur të thoni?
Ne gjatë kësaj periudhe që jemi në këtë detyrë i kemi bërë të ndjehen krenarë shqiptarët në raport me politikën dinjitoze në rajon me fqinjët dhe pa dyshim edhe për faktin se kemi vënë në çdo sekondë interesin kombëtar dhe dinjitetin kombëtar mbi çdo inerci të së shkuarës si sjellje e përulur apo si sjellje “pragmatiste”, duke bërë sikur s’shikojmë dhe s’dimë për çështje të ndjeshme dhe praktikisht vlerësohemi me superlativa për çka i kemi dhënë dimensionit të paqes në rajon. Nuk është sekret që Shqipëria ka miq të mirë, të jashtëzakonshëm dhe partnerë të pazëvendësueshëm, por ka edhe qarqe që nuk jetojnë për t’i bërë mirë Shqipërisë. Ajo që mund të shtoj këtu, është se partnerët tanë strategjikë do të dëshpëroheshin nëse Shqipëria do të shkonte në drejtim të gabuar, nëse për arsye të politikës dhe interesa të pushtetit, apo për instinkte frike në Shqipëri do të ndodhnin gjëra që i shkojnë kundër gjithë këtij procesi, që ne kemi si Shqipëri me mbështetjen e madhe nga partnerët tanë strategjikë, por ka dhe të tjerë që nuk do të mërziteshin, madje do ta dëshironin këtë gjë. Kryetari i opozitës është në të drejtën e tij që të mos dallojë kush janë miqtë më të mirë të Shqipërisë dhe kush janë ata që nuk janë miq të mirë të Shqipërisë. Ashtu sikundër është në të drejtën e tij që t’u kërkojë ndihmë këtyre të dytëve. Një kryetar opozite mund të shkojë deri në pikën që të thotë “më ndihmoni mua që të hedh në erë këtë pengesë që kam dhe unë jam në dispozicionin tuaj”. Këto gjëra kanë ndodhur. Unë uroj që kurrë të mos jetë ky rast, sot, nesër dhe gjithmonë. Nga ana tjetër, unë një gjë di të them dhe e them me bindjen më të thellë, që siç partnerët tanë i kanë sytë te zhvillimet dhe duan që në Shqipëri të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, të tjerë janë angazhuar, ose nuk do të përtonin të angazhoheshin për të kundërtën. Kaq them unë sot!
Ju nuk po flisni për Rusinë që ka një shqetësim ndërkombëtar?
Flas për qarqe të caktuara. Kur themi Greqia, Greqia është një shtet, ka një qeveri dhe nuk mund të hyjmë. Maqedonia nuk ka një qeveri, por është një shtet, janë dy fqinjë, ne kemi problemet tona. Por kur përmendim emra shtetesh, bëjmë gabime të mëdha. Ashtu sikundër ne me Rusinë kemi marrëdhënie të ftohtë, por Rusia nuk është armik i Shqipërisë. Prandaj flas për gjëra që lidhen me qarqe të caktuara dhe interesa të caktuara dhe potencialisht një situatë e tillë është një oportunitet dhe historia ka treguar se kur krijohen oportunitete të tilla, gjenden dhe oportunistët që janë gati jo flamurin, dinjitetin, por gjithçka ta vënë në dispozicion të një qëllimi që është mizerabël në krahasim me atë çka për mua është e shenjtë dhe e panegociueshme në emër të atyre që përfaqësoj dhe atyre që e kanë krijuar këtë shtet.
Ju thatë se interesat partiake të opozitës po përzihen me interesa antishqiptare?Jo, nuk i përmend unë këto terma. Kaq kam për të thënë!
Ju vlerësuat katër ministrat në mënyrë maksimale, do të thotë kjo që mund të jenë sërish ministra në një mandat të dytë nëse fitoni zgjedhjet?
Ne kemi bërë gjithçka kemi ditur dhe kemi parë të udhës se duhet të bëjmë. Sot kërkojmë një mandat të dytë dhe sot nuk jemi më në kushtet e 2013 për disa arsye, sepse këta ministra sot, suksesi i këtij mandati dhe këta ministra duhet t’u garantojnë njerëzve se kjo qeveri meriton një besim më të madh se në 2013, një mandat tjetër për të vazhduar atë që ka nisur. Ata i lanë zyrat për kolegët e tyre për të udhëhequr betejën për të treguar sesa shumë kemi bërë dhe sa shumë ka për të humbur ky vend. Secili prej tyre pas kësaj beteje me rezultatin e Partisë Socialiste dhe në bazë të këtyre rezultateve do të kenë vlerësimin plotësisht të merituar. Nga ana tjetër, ashtu si shumë në PS u çuditën se si u bënë ata ministra, se nuk kishin eksperiencë, unë u thosha se aseti më i çmuar që shoh te ta është mungesa e eksperiencës, sepse nganjëherë eksperienca të pengon të marrësh përsipër përgjegjësi që nuk i kanë pasur. Patjetër që Partia Socialiste nuk fillon dhe mbaron si kapacitet qeverisës me 4, 7 apo 10 ministra, PS ka kapacitete qeverisëse që nuk e ka asnjë parti tjetër, e ka treguar vazhdimisht. Për ministra mos u shqetësoni se PS mund të bëjë tri qeveri në të njëjtën kohë, si kapacitete.
Për dy javë mbushen katër vjet nga kontrata me LSI, nga 1 deri te 10, si e vlerësoni, a do të ripërtërihet kjo kontratë?
(Kryeministri ngre 10 gishtat).
Pra, 10?
Po.
ma.me