Ogerta Manastirliu e mori vesh nga aktiviteti i prezantimit të projekteve të ardhshme në QSUT për ndërtimin e dy spitaleve të reja, se do të ishte ajo pasuesja e Ilir Beqajt në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.
Manastirliu u shfaq e emocionuar ndërsa ish-shefi i saj e uronte, ndërsa theksoi se fondet për projektet janë gati dhe se ajo çka ishte premtuar në shëndetësi 4 vjet më parë është realizuar.
“Projekti i ri i Spitalit Kirurgjikal, një investim në vlerën 7.8 milionë euro, do të centralizojë në një godinë të tre shërbimet kirurgjikale me një infrastrukturë prej shtatë sallash operatore, me një kapacitet prej 120 shtretër. Investim tjetër i rëndësishëm me një vlerë prej 14 mln euro, do të jetë ndërtimi i një spitali të ri për sëmundjet e brendshme me një kapacitet prej 370 shtretër”, tha Ogerta Manastirliu.
“Financimet janë të siguruara. Për dy projektet e para, kirurgjinë dhe sëmundjet e brendshme ka filluar procedura e prokurorimit. Unë besoj se brenda muajit maj miratohen në Këshillin Kombëtar të Territorit lejet e ndërtimit dhe fillon zbatimi i tyre”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Kryeministri vlerësoi punën e ministrit Beqaj, që sipas tij ka bërë ndryshime rrënjësore në shëndetësi.
Edhe pse emri i tij si pasues i Saimir Tahirit në krye të Ministrisë së Brendshme u mësua prej mëngjesit pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj vijoi punën me ligjet e reformës në drejtësi. Ai ishte në krye të Komisionit, që diskutoi nevojen e një kodi të ri penal.
Saimir Tahiri në orët e fundit në krye të Ministrisë së Brendshme fill pas mbledhjes së kryesisë, zhvilloi një tur takimesh falenderimi me efektivët e Policisë së Tiranës.
Tahiri përshëndeti nga afër punonjësit e policisë së Drejtorisë së Tiranës, ata të qarkullimit rrugor si dhe efektivët e Komisasiatit nr.2 dhe ata të Komisariatit Rrugor. Në bashkëbisedimin me ta, ai i falenderoi për bashkëpunimin dhe rezultatet e arritura.
Në orët e pasdites, ai i falenderoi ish-vartësit e tij edhe përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Nuk kam aq fjalë sa të falenderoj sa duhet secilin prej jush për mbështetjen, por kam aq fuqi sa mos e harroj kurrë e të përulem gjithmonë me respekt. Kam punuar kaq kohë e sot kam plot arsye të jem krenar për Policinë e Shtetit. Sot, pas çdo uniforme ka njerëz të shkëlqyer që shërbejnë me pasion. Ka punë plot përpara, por kthim pas nuk do të ketë dot”, shkruan ai.
Top Channel ka mësuar se fjalimin e “lamtumirës”, nëse mund të cilësohet si i tillë, Saimir Tahiri do ta mbajë ditën e martë. Një nga urdhrat e fundit që ai ka firmosur si ministër i Brendshëm është edhe zhvillimi i Panairit të Policisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” gjatë festimeve për Ditën e Verës, një nismë kjo që u mor edhe vjet në kryeqytet, por edhe në qytetet turistike të vendit gjatë sezonit veror.
Ministrat e rinj të kabinetit qeveritar, Olta Xhaçka dhe Eduard Shalsi urimet i kanë marrë që në mbledhjen e Kryesisë së PS-së dhe për mediat nuk kanë preferuar të flasin, pavarësisht interesimit./TCH/a.m.