Kryetari i PD Lulzim Basha ka drekuar për më shumë se një orë me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian në një prej restoranteve të kryeqytetit.
Pas takimit Basha ka deklaruar se takimni ishte i fokusuar te çështja e zgjedhjeve të lira, dhe zhvillimeve politike në vend.
“Ne jemi në bashkëbisedim të vazhdueshëm me partnerët, aleatët tanë europianë dhe amerikanë. Ky ishte një takim, një drekë pune në kuadrin e bashkëbisedimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe të frytshëm të opozitës së bashkuar me aleatët dhe partnerët tanë europianë. Diskutuam zhvillimet politike dhe rrugëdaljen nga kriza politike ku e ka futur vendin pamundësia e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme me një qeveri të bërë njësh me krimin dhe drogën”, ka thene Basha.
Partnerët kanë kërkuar nga opozita të rikthehet në KUvend për të çuar më tej reformën në drejtësi dhe vettingun. Disa ditë më parë Basha drekoi edhe me ambasadorin e SHBA Donald Lu.
Ky takim vjen në ditën e 24 të protestës së opozitës, e cila prej 18 shkurtit kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Po sot Rama bëri publike dhe emrat e 4 ministrave të rinj, pas shkarkimit të Saimir Tahirit nga Ministria e Brendshme, Blendi Klosit, Ilir Beqajt dhe Bledi Çuçit./a.m.