Kur na ndan vetëm një javë nga edicioni i nëntë i “Big Brother”, kanë nisur të përfliten tashmë konkurrentët e parë. “Bluetooth” ka mundur të mësojë se një çift i martuar prej disa vitesh do të bëhet pjesë e shtëpisë më të ndjekur nga shqiptarët. Me aq sa kemi mundur të mësojmë, çifti në fjalë është përzgjedhur përgjatë aplikimeve, por si çdo detaj tjetër nga ky produksion, kanë preferuar të mos japin detaje.
Çifti do të lërë jashtë fëmijët e tyre, për të nisur aventurën tremujore. Duke qenë se strategjia e lojës është në çift, dyshja do të provojë të konkurrojë për çmimin e madh. Duke qenë se janë në një marrëdhënie prej shumë vitesh, çifti po bëhet pjesë e “Big Brother” me idenë se asnjë nga barrierat nuk do të mundet t’i përçajë. Siç është bërë tashmë me dije, ky edicion do të jetë më i shtrenjti.
Organizatorët kanë menduar që të sjellin këtë vit çdo gjë ndryshe nga sa jemi mësuar ta shikojmë vitet e mëparshme. Pas shtëpisë luksoze prej 1 milion eurosh, janë zbuluar edhe pamjen e studios që do të mirëpresë banorët dhe publikun çdo të shtunë në mbrëmje.
Pas fotove të shtëpisë së re, e cila po merr pamjen përfundimtare, “Big Brother” ka zbuluar edhe fotot e para të studios ku do të zhvillohet shfaqja e madhe, nën drejtimin e Arbana Osmanit, duke filluar nga mbrëmja e së shtunës, më 18 mars. Nga fotot, studioja duket ende në fazat e para, megjithatë puna po vazhdon për t’i dhënë asaj pamjen përfundimtare.
Siç mësohet nga produksioni, studioja do të jetë gjigante dhe shumë e kushtueshme. Projekti që është zbatuar për të, është ideuar nga vetë “Big Brother”, është mjaft i veçantë dhe një pikë shumë të rëndësishme ka ndriçimin.
Çmimi i madh
Për një edicion special, me një strategji të re, natyrisht që duhet dhe një çmim më i madh sesa 100 mijë euro. Mendohet se këtë vit çmimi do të rritet, në krahasim me vitet e tjera.
Nuk dihet ende se sa do të jetë trofeu që do të marrë fituesi i këtij viti, pasi një ide është që veçmas çmimit, fituesi i edicionit të nëntë të marrë edhe një dhuratë. Megjithatë do të na duhet të presim 18 marsin për të marrë vesh se cili do të jetë çmimi i madh dhe banorët, që këtë vit do të jenë plot 16./a.m.