Gazeta e PD-së, “Rilindja Demokratike” ka sulmuar sot ashpër kreun e LIBRA, deputetin opozitar Ben Blushi. Në një opinion të gazetës me auror Blendi Kasmi, RD e krahason Blushin me gruan e ish-diktatorit Hoxha, Nexhmije Hoxhën.
“Përmes një udhëtimi pas në kohë, Beni është sot Nexhmija që ishte dje në krye të Frontit Demokratik dhe që kandidonte përballë Enverit dhe PPSH. Në fakt edhe Nexhmija atëherë bëhej deputete, ashtu sikurse edhe Beni shpreson sot se mund të ketë të njëjtin fat nga sozia e Enverit”- shkruan RD.
RD shkruan se Blushi beson sot se këtu do të bëhen zgjedhje dhe se ka vërtet konkurrim mbi baza programesh dhe ofertash politike.
“Beni është inteligjent, por jo aq shumë sa duket kur vjen puna për të fshehur llogaritë e biznesit të ri politik që ka nisur. Nuk beson vetëm Beni se këtu mund të bëhen zgjedhje me 18 qershor. Edhe Edi, të cilin Beni e kritikon për një mijë e një të zeza lart e poshtë, në Parlament dhe në të gjitha televizionet e pushtetit, po ashtu beson se nën qeverinë e tij vendi mund të ketë zgjedhjet më të mira në histori”- shkruan RD.
Me tej, ajo numëron ata që quan shokët e idealit të Benit, me të cilët bashkoi votat për vettingun pak javë më parë në Parlament, si fjala vjen Mando i Laçit po ashtu po bëhet gati për zgjedhje.
“Secili në mënyrën e vet, Beni duke kërkuar firma në trotuar me Libra dhe Mando duke angazhuar çunat e drogës e krimit në zonën e tij me armë”- shkruan RD.