Biznesmeni Ylvi Beqja u qëndron akuzave që ka bërë ndaj Emiljano Shullazit. Pas 14 seancave të dështuara, Gjykata për Krimet e Rënda nisi dje marrjen e dëshmisë së biznesmenit të mbrojtur, Ylvi Beqja, pa e vënë atë përballë Emiljano Shullazit. Pyetja e tij në formën e sigurimit të provës u bë për llogari të hetimit të nisur nga Prokuroria ndaj Shullazit dhe katër miqve të tij, të akuzuar për “gjobëvënie”, raporton “Panorama”.
Seanca, që u ndërpre në mes, u zhvillua pa praninë e të dyshuarve dhe as të avokatëve të tyre mbrojtës. Personi nën hetim, Emiljano Shullazi, mungonte në gjyq për arsye shëndetësore. Paraditen e djeshme ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në një spital privat në kryeqytet.
Katër të dyshuarit e tjerë u larguan nga salla e gjyqit, duke kërkuar shtyrje të seancës. Kërkesë për shtyrje ishte paraqitur në gjykatë edhe nga disa prej mbrojtësve të tyre. Në vendimin e gjyqtarit Dritan Hallunaj, të 21 janarit 2017, mbi lejimin e sigurimit të provës, marrjes së dëshmisë së Ylvi Beqjes, përcaktohet se “në marrjen e kësaj prove, të marrin pjesë prokurorët, shtetasit nën hetim Emiljano Shullazi, Blerim Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Zela, Endrit Qyqja, si dhe mbrojtësit e tyre”.
DËSHMIA
Sipas burimeve, për gati një orë dëshmitari Beqja ka rrëfyer mënyrën se si ishte njohur me Emiljano Shullazin dhe bisedat e tyre, duke u qëndruar edhe deklarimeve të dhëna më herët para prokurorëve të Krimeve të Rënda.
Sipas dëshmisë, kishte qenë një avokat që e kishte adresuar Beqjan tek Emiljano Shullazi, si person që mund ta ndihmonte në zgjidhjen e një procesi gjyqësor ku ai ishte palë, në lidhje me pronësinë e ish-hotel “Vollgës” në Durrës.
“Pasi i shpjegova me detaje telashet e mia me pronën dhe personat që ishin përfshirë, më tha që këtë punë e zgjidh unë, ti s’ke për t’u marrë fare me këtë punë. Në këmbim të kësaj, unë dua të më japësh 20 për qind të pronës. Mua m’u duk përqindje e lartë, por nuk kisha zgjidhje tjetër, pasi me ndërhyrjen e personave të fuqishëm dhe me para ata po arrinin të merrnin pronën në mënyrë të padrejtë”, ka rrëfyer këtë bisedë për prokurorët Beqja. Kur ka kaluar gati një orë nga momenti kur Beqja ka nisur të rrëfehet, seanca është ndërprerë për shkak të largimit të avokates Teodoresku nga salla e gjyqit. Seanca e radhës është caktuar të hënën, në orën 15:30.
Shullazi operohet, dështon prapë përballja e tij me biznesmenin
Ka dështuar sërish sot përballja e Emiljano Shullazit me biznesmenin Ylvi Beqja në gjykatën e Krimeve të Rënda. Ndërkohë që sot ishte seanca e radhës e pritej përballja mes tyre, seanca nuk u zhvillua.
Shkak u bë ndërhyrja kirurgjikale e planifikuar për Shullazin, i cili dje u transportua në masa të rrepta sigurie drejt spitalit.
Policia ne spitalin ku po trajtohet Shullazi
Mësohet ndërkohë që vetë biznesmeni i është drejtuar gjykatës, por nuk ka pasur përballje, pasi Shullazi nuk ka qenë i pranishëm.