Në këto faqe janë të pasqyruara të gjithë pagat e reja për kategori të ndryshme punonjësish buxhetorë, duke filluar nga arsimtarët, ushtarakët e Gardës së Republikës, diplomatët, deri tek punonjësit e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme pranë Policisë, apo punonjësit e të gjitha kategorive të Njësive vendore të pushtetit.
Kështu, psh, në fushën e veprimit të këtij vendimi përfshihet trajtimi me pagë për mësuesit/ edukatorët në arsimin parashkollor, arsimin fillor, arsimin e mesëm të ulët, arsimin e mesëm të lartë dhe institucionet arsimore për përkudesjen për kategori të veçanta të nxënësve.
Përveç pagës bazë, parashikohet edhe shtesa për vjetërsi pune e punonjësit, që aplikohet në masën 2 për qind pas çdo viti pune, por jo më shumë se 25 vjet. Kjo shtesë llogaritet mbi pagën e grupit. Po kështu, për arsimtarët parashikohet edhe shtesa për kualifikim, që jepet sipas dëshmisë së kualifikimit individual dhe llogaritet mbi pagën e grupit, në përqindje, si psh 5% të pagës së grupit, pas përfitimit të shkallës “Mësues i kualifikuar”, 10% të pagës së grupit, pas përfitimit të shkallës “Mësues specialist” apo 20% të pagës së grupit, pas përfitimit të shkallës “Mësues mjeshtër”.
Vendimi parashikon gjithashtu që, kur punojnë brenda rrethit të tyre, jashtë qendrës urbane, por mbi 5 kilometra larg vendbanimit/qendrës së punës dhe kthehen brenda ditës në vendbanimin e tyre, masa e kompensimit është 2.700. Ndërsa kur punojnë brenda rrethit të tyre, jashtë qendrës urbane, por mbi 5 kilometra larg vendbanimit/qendrës së punës dhe nuk kthehen brenda ditës në vendbanimin e tyre, masa e kompensimit është 6.000 lekë në muaj.
Për diplomatët janë përcaktuar pagat e reja për gradat diplomatike, si ambasador, ministër fuqiplotë apo konsull, këshilltar, sekretar apo atashe. Po kështu, përcaktohen edhe pagat e reja për ushtarakët, sipas gradës përkatëse, që shërbejnë pranë NATO-s si përfaqësues të forcave shqiptare të armatosura apo oficerë të ndryshëm ndërlidhës. Doplomatët dhe përfaqësuesit ushtarakë gëzojnë edhe një shtesë përfaqësimi, përveç pagës bazë, që arrin deri në 75 për qind mbi atë.
Po kështu, në tabela përcaktohen edhe pagat e reja për të gjitha nivelet e punonjësve të pushtetit vendor, sipas kategorizimit që rrjedh nga numri i popullsisë së bashkive apo njëzive të veçanta administrative.