Kreu i partisë LIBRA, Ben Blushi bën një parashikim të zymtë për situatën politike në vend. Pas bojkotit zyrtar të partive opozitare në KQZ, Blushi shprehet se kriza që po i afrohet vendit do të jetë më e ashpër se ajo në Maqedoni dhe kriza në Rumani.
Kreu i LIBRA shprehet se me bojkotin e PD-së në KQZ nuk ka më hapësira për marrëveshje, “pasi qeveria nuk është e ndërgjegjshme për pasojat e këtij vendimi dhe komuniteti ndërkombëtar nuk do të negociojë”.
Postimi i Blushit në Facebook: Kriza shqiptare nuk dihet ku mbaron
Tërheqja e deritanishme e shumicës së partive opozitare nga rregjistrimi në KQZ është kërcënimi më serioz për zgjedhjet e 18 qershorit. Unë nuk besoj se ka hapësirë për marrveshje pasi qeveria nuk është e ndërgjegjshme për pasojat e këtij vendimi dhe komuniteti ndërkombëtar nuk do të negociojë. Nuk mund të them nëse po shkojnë në një skenar rumun apo maqedonas por di të them se skenari shqiptar i krizave është zakonisht më i ashpër dhe më i rrezikshëm se kudo. Kemi përpara të paktën katër vjet krizë të rëndë dhe të paparashkueshme. Fundi i saj nuk dihet por një gjë dihet: më shumë shqiptarë do ikin dhe më pak shqiptarë do mbeten për ta zgjidhur në kohë. LIBRA do bëjë pjesën e vet duke ngjitur copat që po thyejnë partitë e vjetra.
/b.d