Ministria e Mirëqënies Sociale ka miratuar një udhëzim të ri që parashikon ndryshimin e masës së ndihmës ekonomike për familjarët dhe individët. Përllogaritja e re do të bëhet sipas sistemit të pikëzimit e masa nuk mund të jetë më e lartë se 8 mijë lekë në muaj. Vendimi që tashmë ka hyrë në fuqi i shtrin efektet nga data 15 maj 2017.
1-Masa e ndihmës ekonomike, në muaj, për prindërit me më shumë se dy fëmijë të lindur njëherësh është:
-për trinjakë, 3000 (tremijë) lekë për çdo fëmijë;
-për katërnjakë, 4000 (katërmijë) lekë për çdo fëmijë;
-për pesënjakë, 5000 (pesëmijë) lekë për çdo fëmijë.
Kjo ndihmë ekonomike përfitohet deri në moshën 18 vjeç.
2-Masa e ndihmës ekonomike për viktimat e trafikimit është 3000 (tremijë) lekë në muaj dhe përfitohet pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore, deri në çastin e punësimit të tyre.
3-Masa e ndihmës ekonomike për çdo viktimë të dhunës në marrëdhëniet familjare që nuk trajtohen në institucionet e përkujdesjes shoqërore, është 3000 (tremijë) lekë në muaj. Kjo ndihmë ekonomike përfitohet gjatë periudhës së vlefshmërisë të urdhrit të mbrojtjes ose urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, të përcaktuar në vendimin e gjykatës.
4-Masa e ndihmës ekonomike për çdo jetim është 3000 (tremijë) lekë në muaj. Kjo ndihmë ekonomike përfitohet nga jetimët që nuk janë në institucione deri në çastin e punësimit të tyre.
5-Masa e ndihmës ekonomike për familje llogaritet:
-1800 (njëmijë e tetëqind) lekë për anëtarin e parë të familjes sipas renditjes në certifikatën familjare;
-1260 (njëmijë e dyqind e gjashtëdhjetë) lekë për anëtarët e tjerë të familjes mbi moshën 18 vjeç;
-900 (nëntëqind) lekë për anëtarët që janë në dhe nën moshën 18 vjeç.
Kur në përbërjen e strukturës së familjes, për efekt të llogaritjes së masës së ndihmës ekonomike, mbetet vetëm një anëtar, masa e ndihmës ekonomike për këtë të fundit është ajo e llogaritur për këtë anëtar, raporton “Scan”.
6-Për rastet kur familja e përzgjedhur për të përfituar ndihmë ekonomike, është e përbërë vetëm nga një anëtar, i cili është mbi moshë punë masa e ndihmës ekonomike është 2.600 (dymijë e gjashtëqind) lekë.
7- Anëtarët e familjes, fëmijë, për të cilët vërtetohet që ndjekin arsimin bazë deri në moshën 16 vjeç, marrin një shtesë në masën 300 (treqind) lekë në muaj gjatë vitit shkollor.
8-Anëtarët e familjes, fëmijë, për të cilët vërtetohet që janë vaksinuar sipas kalendarit të vaksinimit marrin një shtesë në masën 100 (njëqind) lekë, për çdo vaksinë të kryer.
Për bashkëshortët në proces zgjidhje martese, kur ende nuk ka një vendim gjykate të formës së prerë, masa e ndihmës ekonomike për secilin bashkëshort, do të jetë e përllogaritur në bazë të strukturës së familjes. Për anëtarin e familjes në nevojë, që është person me aftësi të kufizuar, invalid pune, nuk llogaritet masë ndihme ekonomike në strukturën e masës së ndihmës ekonomike për familjen. Të drejtën për ta tërhequr dhe marrë në dorëzim ndihmën ekonomike për familjet në nevojë e ka bashkëshortja. Për rastet kur në strukturën e familjes bashkëshortja mungon të drejtën e tërheqjes e ka kryetari i familjes.