Nga Spartak Ngjela
Nuk ka rrugë tjeter: Vetingu është detyrim për këdo që drejton politikën në Shqipëri.
l.
Vetingu:
Është detyrim se e do populli shqiptar;
Është detyrim se është kërkesë e lartë gjeopolitikë e politikës amerikane;
Është detyrim se është kërkesë e lartë e Bashkimit Europian për politikën e tij në Ballkanin Perëndimor;
Është detyrim, sepse Reforma në Drejtësi është momenti substancial i aleancës shqiptaro-amerikane;
Dhe, është detyrim, sepse e kërkon historia e re e Shqipërisë dhe e mbi shtatë milionë shqiptarëve që jetojnë në Ballkanin Perëndimor: shqiptarët janë sot në kohën e tyre historike dhe kjo kohë patjetër që detyron gjithkënd që të mos bëjë asnjë kompromis apo lëshim në favor të padrejtësisë.
ll.
Ka tetëmbëdhjetë vjet që shqiptarët po i ripërtërin në ringjallje historike aleanca shqiptaro-amerikane. Shqiptarët kanë hyrë në procesin e vet të riidentifikimit historik dhe të rimarrjes së pozitave territoriale arbërore.
Prandaj: jo me Rusinë, jo me Beogradin e jo me Greqinë, por edhe me djallin sikur të bashkohet Saliu, vetingu do të kryhet dhe Reforma në Drejtësi do të krijojë shtetin e ri demokratik dhe institucional shqiptar. Esat Pashë Toptani ka vdekur perfundimisht, prandaj rrugët për në Beograd dhe Athinë, janë sot jashtë funksionit për pushtetin në Tiranë. Por, me përpara nga të gjithë, këtë duhet ta dije Çadra.
ll
Historia e Shqipërisë nuk do të jetë më një trishtim, sikundër ka qenë në njëqind vjet. Po të mos kishte qenë trishtim, kurrë nuk mund të kishte mundësi që shqiptarët të drejtoheshin nga paaftësia dhe ligësia. Ligësia në drejtimin politik të Shqipërisë, sot, është në grahmat e fundit. Vetingu nuk do të kursejë askënd, sepse bëhet për shqiptarët. Kurse aleanca shqiptaro-amerikane është në fakt rikonceptualizimi i Ballkanit Perendimor, nëpërmjet botës shqiptare në këtë zonë.
Prandaj, për korrupsionin shqiptar, nuk mund të bëhet dhe nuk do të bëhet asnjë lëshim, sepse ky do të jetë testi parësor i pushtetit të ri gjyqësor në Shqipëri.
lll.
Të kërkosh sot “siguri” nga politika amerikane për gjënë e vjedhur, siç është duke kërkuar Saliu, eshte naivitet fëminor. Politika amerikane dhe konsolidimi i aleancës shqiptaro-amerikane, është vendosja e ligjit kundër korrupsionit me drejtësi të pavarur në Shqipëri. Kjo do të thotë se, asnjë nga të korruptuarit e politikes shqiptare, nuk do të shpëtojë nga procesi penal përpara gjykatës së re shqiptare.
Të gjithë ata të korruptuar që mendojnë se me presionin e votës në Parlament do të shpëtojnë nga akuza penale, janë naive. Politika amerikane, që po e drejton këtë proces në Shqipëri, e ka jashtë natyrës së vet që të bëjë kompromis për të shpëtuar pushtetarët e korruptuar; le që, pas vendosjes së ligjit, e ka të pamundur, sepse shkel vetë ligjin dhe drejtësia në Shqipëri nuk mund të quhet e vendosur.
Asnjë nuk do të tolerohet, se kjo tolerancë është fyerje për popullin shqiptar që mezi pret vendosjen e ligjit në Shqipëri.
Kurse vetingun, nuk ka më asnjë forcë që ta zvarrisë, dhe prandaj shqiptarët duhet të jenë të qetë me pohimin më se real: mjerë ata pushtetarë shqiptarë që kanë shkelur ligjin!