Kancelarja gjermane, Angela Merkel nuk mund të harronte gjatë vizitës së saj në Tiranë që të linte shënimin e saj në librin e përshtypjeve në bibliotekën e re të Kryeministrisë më 8 korrik, gjatë vizitës së saj zyrtare në Tiranë.
Në fakt, 8 Korriku ishte dita e parë që kjo bibliotekë ishte bërë e aksesueshme për vizitorët e saj, teksa kancelarja Merkel e shoqëruar nga kryeministri Edi Rama e panë atë nga afër pas mbarimit të takimit të tyre zyrtar.
“Me rastin e vizitës së Kancelares Federale të Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, 8 korrik 2015”, firmosur nga Angela Merkel, shkruhet në librin e përshtypjeve, raporton “Panorama”.
Kancelarja ka vizituar dhe ambientet e tjera në këtë godinë, si sallën e hartave dhe zyrën e Kryeministrit Rama ku ishin afishuar në mur përveç fotos së Ismail Qemalit, edhe skicat e Ramës.