Për Ardian Civicin krijimi i borxheve të këqija në ekonomi lidhet me keqadministrimin e bizneseve.
“Të krijosh një gropë kaq të madhe detyrimesh tregon në rastin më të mirë një keqmenaxhim të këtyre kompanive dhe në rastin më të keq një plan biznesi dhe një strukturim të tyre në raport me tregun që lë shumë për të dëshiruar”, shprehet Ardian Civici, ekspert ekonomie.
Por, profesor Sotiraq Dhamo i sheh më shumë përgjegjësitë tek vetë shteti.
“Shpesh në vendosjen jo të saktë dhe të drejtë të gjobave fiktive të cilat pastaj nuk grumbullohen dhe futen në këtë zinxhir dhe së dyti edhe kur janë borxhe të vendosura drejtë nuk grumbullohen për arsye subjektive”, thotë Dhamo.
Sipas të dhënave zyrtare, borxhi i pashlyer në tatime dhe dogana arrin në 180 mld lekë. Ekspertët thonë se kjo ka pasoja të mëdha negative për financat publike dhe ekonominë
“Sepse mosrealizimi i të ardhurave çon në pamundësinë për të bërë politika publike, për të cilat ne kemi shumë nevojë dhe nga ana tjetër cenon disa parametra të rëndësishëm makroekonomik si deficiti apo borxhi”, thotë Civici.
Por si mundet që ekonomia të shpëtojë nga ky lak borxhesh të këqija?
“Neve duhet të kemi parasysh që jo çdo gjë zgjidhet në 4 apo 5 vjet me amnisti fiskale”, thotë Civici.
“Që kur vendosën detyrimet duhet të jenë të bazuara. Së dyti, ata që i vendosin duhet të mbajnë përgjegjësi. Së treti, politika s’duhet të ndërhyjë”, shprehet Dhamo.
Detyrimet fiskale nuk janë mali i vetëm i borxheve të këqija. Nëse përfshin dhe kreditë e pakthyera por dhe detyrimet e sektorit energjetik, në total borxhi i keq që ka krijuar ekonomia është mbi 3 miliardë euro. / tch/a.m.