Marrëveshja për shpëtimin e Greqisë u arrit, por me çfarë kushti? “Daily Telegraph” e përkufizonte paktin e Brukselit në titullin e artikullit të saj, kushtuar temës më të nxehtë të ditës si “kapitullim të Athinës përballë masave antikrizë”.
Më herët, komente të ashpra mbushnin mediat sociale. Një prej pikave kyçe në tryezën e negocjatave ishte kërkesa që 50 miliardë euro asete publike të vendit të perdoren për shlyerje borxhi, e kaq mjaftoi që në “Tëitter” të shfaqej ‘hashtag’-u : “This is a coup”- ky është grusht shteti”.
Përdoruesit e rrjetit social kanë lëshuar një rrebesh kritikash ndaj atyre që i përshkruan si “ultimatume” të paraqitura Greqisë.
‘Hashtagu’ besohet të ketë për autor një mësues fizike nga Barcelona, Sandro Maccarrone, i cili shkroi i pari në spanjisht: “Propozimi i Eurogrupit është një grusht i fshehtë shteti kundër popullit grek”. Atë që nisi Maccarrone, e vazhdoi ekonomisti amerikan Paul Krugman.
“Të themi se ju e konsideroni Tsiprasi-n një kaqol të paaftë”, shkruan ai. “Të themi se doni me çdo kusht ta shihni Syrizën të largohet nga pushteti. Të themi se e mirëprisnit perspektivën e nxjerrjes së atyre grekëve të mërzitshëm nga euro. Edhe po të ishin të verteta të gjitha këto, sërish, lista e kërkesave të Eurogrupit është një çmenduri. Ajo shkon përtej rreptësisë; shkon në hakmarrje, në shkatërrimin total të sovranitetit të një kombi dhe nuk lë asnjë shpresë për lehtësim, vazhdon ekonomisti”.
Për Krugman, Greqisë iu bë një ofertë që nuk mund të pranohej; megjithatë edhe me pajtimin e grekëve, ajo mbetet një tradhti groteske e gjithë çfarë asaj që projekti europian duhet të përfaqësonte.
“Tëitter”-i në mënyrë të veçantë, është i mbushur me komente të ashpra kundër qëndrimit të liderëve europianë. Një prej postime mban një citat të John Adams që thotë: “Ka dy mënyra për ta skllavëruar një komb; njëra është shpata, tjetra, borxhi. Të tjerë flasin për kolonializëm modern. Dikush shkruan: “Diktatorët kapitalistë shkatërrojnë një vend për ta bërë shembull. Ëndrra e BE-së ka marrë fund”. Një tjetër përdorues i këtij rrjeti social, John Moras, po nën ‘hashtagun’ “ This is a coup”, kërkon t’i kujtojë diçka bllokut europian. “Ka njerëz pas gjithë këtyre numrave”, thuhet në postimin e tij që pasohet nga një citim i Mayer Amschel Rothschild: “Më jepni kontrollin e parave të një shteti, e nuk më bëhet vonë fare se kush i bën ligjet e tij”./Top Channel/