Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka organizuar paraditen e sotme një takim me Forumin Gjirokastra për të diskutuar jo vetëm mbi shqetësimin e ngritur prej tyre për projektin e bypass-it, por edhe për interesin e kthimit të Qendrës Historike në zonë këmbësore duke u angazhuar për organizimin e një tryeze të ardhshme teknicienësh për një shkëmbim profesional. Në këtë takim ku u fol gjatë për projektin dhe vizionin për zhvillimin e Gjirokastrës, Kumbaro theksoi edhe faktin sesi manipulohet me opinionin publik duke sjellë në vëmendje rastin e shkrimtarit Ismail Kadare, e nga ku kërkoi që të paktën emrave kaq të shquar të mos u keqpërdoret emri.
“Sot në takimin me Forumin Gjirokastra shpreha gjithashtu keqardhjen për keqpërdorimin që i është bërë emrit të shkrimtarit Ismail Kadare duke e përfshirë virtualisht në një projekt siç është ai i bypass-it dhe Qendrës historike, me çka ai s’mund të njihej për së largu, por duke vlerësuar maksimalisht merakun e mirë të kujtdo që e do vërtetë Gjirokastrën”, – shkruan Kumbaro në rrjetin social Facebook pas takimit .
Moikom Zeqo, anëtar i forumit për mbrojtjen e Gjirokastrës, pohoi disa ditë më parë në media se Ismail Kadare i ka dërguar përmes emailit aprovimin e tij për nënshkrimin e relacionit. “Këtë Relacion ia dërgova të shoqëruar me një letër time edhe Ismail Kadaresë dhe u gëzova se ai u përgjigj menjëherë, me përkushtim. Kadare pranoi ta nënshkruante Protestën tonë për ruajtjen e Qendrës Historike te Gjirokastrës deri në fund dhe sipas kritereve shkencore”, deklaronte Zeqo.