KQZ ka vendosur të hapë të martën një tjetër kuti të materialeve zgjedhore. Bëhet fjalë për kutinë e fshatit Pult të Shkodrës ndërsa PD ka kërkuar pavlefshmërinë e votimeve pikërisht në këtë fshat.
Pas debateve të gjata në KQZ, kryetarja Lefterije Luzi dhe anëtari Hysen Osmanaj0 kërkuan që të hapet kutia përkatëse e materialeve zgjedhore.
Luzi e argumentoi qëndrimin e saj me faktin se duhej plotësuar panorama e provave të pretenduara nga demokratët për pavlefshmëri të procesit në këtë qendër votimi.
PD pretendon se ditën e zgjedhjeve procesi i votimit është vonuar më shumë se 5 orë, ndërsa dy komisionerë janë shkarkuar në shkelje të ligjit po nga komisioni përkatës i qendrës së votimit.
Përfaqësuesi i PS në KQZ tha se nuk është shkelur Kodi Zgjedhor për zgjedhjet në këtë QV, pasi votimi nuk është bllokuar për më shumë se 5 orë.
Administrimi i zgjedhjeve nga komisisonerët në këtë QV u konsiderua i paprecedentë nga PD, pasi rezulton se përveç shkeljeve të tjera janë gjetur më shumë fletë votimi se sa votues në këtë zonë.