Ndërsa këtë 8 Mars ngrihej lart kulti i gruas dhe nënës, një 63-vjeçare në Urën Vajgurore ka rënë pre e dhunës barbare nga djali dhe bashkëshortja e tij. Ngjarja është shënuar në fshatin Poshnje. Shpresa Kuci ka denoncuar në polici dhunën me grushte e shkelma nga i biri, Fitim Kuci, 41 vjeç, i cili është vënë në pranga dhe bashkëshortja e tij, 27-vjeçarja Fatmira Kuci, të cilën policia e ndalon t’i afrohet të moshuarës.
Por pavarësisht urdhrit të mbrojtjes, “BalkanWeb” mëson se e moshuara dhe nusja e djalit një ditë më pas jetojnë të të njëjtën banesë. 63-vjeçarja me shenja në fytyrë dhe kokë rrëfen se u dhunua nga djali e nusja pasi nuk pranoi të kujdesej për fëmijët, për shkak se është sëmurë.
E moshuara apelon shtetin të largojë nusen e djalit nga banesa, pasi ndihet e frikësuar. Ndërkohë nusja, Fatmira rrëfen se është e detyruar të thyejë urdhrin e mbrojtjes, pasi nuk ka ku të jetojë.
Në një tjetër version të ngjarjes, Fatmira deklaron se situata u acarua pasi e moshuara hodhi fëmijën 6 muajsh të çiftit në tokë. 27-vjeçarja deklaron se ajo është dhunuar vazhdimisht nga vjehrra e saj.
Familja Kuci jeton në kushtet e varfërisë në banesën e tyre në fshatin Poshnje, mes konflikteve të vazhdueshme familjare, të gjeneruara nga marrëdhënia vjehrrë-nuse. Fitimi dhe Fatmira, me një diferencë të madhe në moshë, janë prindër të dy fëmijëve të mitur. Martesa e parë e secilit prej tyre përfundoi në divorc.
ma.me