Nga Ben Andoni
PS-ja e goditur tmerrësisht në muajt dhe vitet e para të vitit 1997 arriti që nëpërmjet një marrëveshje me ish-presidentin Berisha më datën 9 mars 1997 të ulej në bisedime dhe të arrinte një marrëveshje për të zbutur situatën kaotike në vend.
Me statusin e kreut të PD dhe të shtetit, Berisha kishte kohë që i kishte njësuar pushtetet, por më 9 Mars ai jo vetëm formalizoi bisedimet në interes të tij por ka diktuar edhe tekstin e marrëveshjes, që do i mundësonte qëndrimin në pushtet.
Që të kuptohet situata e vendit duhet të dihet se qeveria “Meksi” ishte dorëhequr prej 1 marsit 1997, kurse një ditë më vonë më 2 mars ishte miratuar ligji dhe vendimi “Për gjendjen e jashtëzakonshme”. Më 3 mars në situatën e Gjendjes së Jashtëzakonshme, Sali Berisha organizoi një seancë parlamentare 10 minuta, ku u bë mandatimi i tij si President Republike, me vetëm 113 votat e deputetëve të djathtë.
Marrëveshja e 9 marsit 1997 u firmos prej 10 partive politike shqiptare, për t’i dhënë fund luftës civile nga ku humbën jetën mbi 3 mijë njerëz, u dëmtuan 25 mijë, u zhdukën 530 persona dhe mbetën të gjymtuar gati 4 mijë të tjerë. Paradoksalisht njeriu që u negociua ishte pikërisht Sali Berisha, njeriu që lehtësoi sistemin piramidal dhe dha shumë nga urdhrat e tmerrshëm deri në sulmet me aeroplan kundra njerëzve të thjeshtë. Sipas studiuesve e analistëve, rezulton se “Marrëveshja e 9 marsit 1997”, ishte një nga kompromiset më të turpshme të historisë së PS e të së majtës shqiptare. Aq personazh ishte Berisha me të saqë ai propozoi edhe:
-Krijimin e “Qeverisë së Pajtimit Kombëtar”,
-amnisti për civilët e ushtarakët e përzierë në krimet dhe ngjarjet e periudhës janar-mars 1997.
– Zgjedhje brenda qershorit 1997.
– Dorëzim të armëve brenda një jave.
– Shpalljen e “Zisë kombëtare për shqiptarët e vrarë në konfliktin civil e atë ushtarak.
Që të kuptohet sesa nuk e donin marrëveshjen e 9 Marsit 1997 njerëzit, duhet të kuptohet reagimi i gjerë dhe akuza që iu bë Partisë Socialiste se kishin bërë një akt tradhtie. Jugu i vendit, struktura territoriale më e goditur prej Berishës dhe urdhrave paradoksalë të tij, por edhe 1000 ushtarakë, që në ato ditë ishin tejet aktivë, nuk u bindën. Me gjithë marrëveshjen, civilët e armatosur, në të njëjtën ditë që pushteti merrte pak frymë, vendosën kontrollin e armatosur mbi Beratin e Përmetin dhe pak orë më vonë mbi Kuçovën, Poliçanin e Çorovodën. Dhe paradoksi është se pas dekretimit të qeverisë së re, ku kryeministër u zgjodh kryebashkiaku i Gjirokastrës Bashkim Fino, u çelën depot e armëve në krejt vendin, u hapën burgjet e kështu me radhë.
***
Në retrospektivë duhet kuptuar se kaluan 2 muaj të vështirë për Berishën dhe pushtetin e tij, që pas viteve ’90, e kishte përcjellë Shqipërinë në një rrugë krejt të pashpresë. Shkatërrimi i skemave piramidale, bëri që në janar 1997 të niste një protestë e pandalur popullore.
Afër mendjes që PS-ja, falë edhe realiteteve të reja ta shfrytëzonte sa më mirë këtë realitet të hidhur krijuar nga një drejtim kaotik i Berishës. Ky pushtet kishte marrë dërrmën sidomos pas 29 qershor 1997, ditën kur Berisha humbi zgjedhjet.
“Marrëveshja e 9 marsit 1997”, e realizuar mes partive politike shqiptare thuhet se u realizua falë “Forumit për Demokraci” (Lubonja-Kola-Gumeni), që synonte për të nënshkruar një “pakt paqeje”. Përkundrejt mendimit të përgjithshëm popullor, që Berisha të mos ishte pjesë e tryezës, nuk ndodhi kështu. Ky moment shikohet nga shumë specialistë si momenti që e ricikloi Berishën si aktor politik, fakt që i mundësoi atij të merrte edhe tetë vjet të tjera në pushtet si kryeministër duke filluar nga viti 2005.
Berisha arriti të kërkonte respektimin e amnistisë së shpallur prej tij, madje duke na u shfaqur si personazh i barabartë me PS dhe me krejt të majtën.
Në vend, që ai të lihej mënjanë dhe të dilte para gjyqit, ai prej frikës së PS-së dhe amalgamës së saj nuk u vlerësua si shkaktar i tragjedisë kombëtare dhe as si personi kryesor që dha urdhra, për të goditur Opozitën dhe njerëzit e thjeshtë.
Lojën e tij e ndoqi edhe PS-ja, por më shumë drejtësia e kohës, që pas kësaj marrëveshje, bëri disa arrestime. Përparim Halili në një dossier, ku jemi mbështetur në logjikën e ngjarjeve të atyre ditëve, do të shpjegojë të gjithë këtë makinacion: u dhanë “….dënime formale fiktive të 6 zyrtarëve e ushtarakëve të PD, të cilët i akuzoi si “organizatorë të sulmit ushtarak mbi popullin, me bidonë me lëndë kimike, të hedhur me avionë”, të cilët po në pazar me Berishën, i liroi pas 6 muajsh me amnisti dhe dëmshpërblim financiar për 180 ditët e burgosjes. Ndërsa Berisha, jo vetëm nuk u prek nga drejtësia, por u trajtua si palë e barabartë dhe e preferuar politike prej PS, duke vijuar bashkëpunimin politik me të”. (JavaNews)
Këto janë 9 pikat e “Marrëveshjes së 9 marsit 1997”
- Parlamenti shqiptar të shpallë amnistinë e përgjithshme për të gjithë ata civilë dhe ushtarakë që u implikuan në revoltën e fajdeve.
- Të krijohet një Qeveri e Pajtimit Kombëtar me përfaqësimin e të gjitha forcave politike në dialog.
- Brenda një afati një javor të dorëzohen armët dhe municionet nga të gjithë qytetarët, në të gjitha rrethet e Shqipërisë.
- Dita e diel datë 16 mars të shpallet ditë zie kombëtare për të nderuar të gjithë ata që humbën jetën gjatë kësaj periudhe.
- Të zhvillohen zgjedhjet parlamentare në një periudhë jo më larg se muaj Qershor 1997.
- Zgjedhjet parlamentare të zhvillohen nën mbikëqyrjen e plotë ndërkombëtare.
- Qeveria në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare dhe të vendit duhet të marrë të gjitha masat për të ndihmuar me përparësi zonat e dëmtuara.
- Të fillojë lehtësimi i gjendjes së jashtëzakonshme, deri në heqjen sa më të shpejtë.
- Partitë të vazhdojnë dialogun.
Ja kabineti “Fino” që drejtoi në periudhën 9 mars-29 qershor 1997
- Bashkim Fino-Kryeministër PS
- Belul Çela-M. Brendshëm PD
- Shaqir Vukaj-M. Mbrojtjes PS
- Arian Starova-M. Jashtëm ASD
- Arben Malaj-M. Financave PS
- Spartak Ngjela-M. Drejt. PLL
- Eduard Ypi-M. Privatizimeve PD
- Astrit Kalenja-M. Shënd. BK
- Myqerem Tafaj-M.Ars.Lartë PD
- Luan Skuqi-M. Arsim-Sport PD
- Haxhi Aliko-M. Bujqësisë PSD
- Kastriot Shtylla-M. Energj. PR
- Foto Dhuka-M. Transporti PBDNJ
- Ëngjëll Ndocaj-M. Kulturës PDK
- Elmaz Sherifi-M. Punës PS
- Vasillaq Spaho-M. Turizmit PR
- Ekrem Kastrati-S. Përgj KM. PD
- Lush Përpali-Sek. M. Brend. PS
- Ali Kazazi-Sek. Mbrojtjes PD
- Pavli Zëri-Sek. M. Jashtme PS
Ja 4 pikat e programit të Qeverisë “Fino”
- Stabilizimin e rendit publik dhe vendosjen e qetësisë.
- Stabilizim të situatës ekonomike dhe të furnizimit të popullit.
- Zotërimin e gjendjes financiare
- Përgatitjen e zgjedhjeve të lira.