EKSKLUZIVE JAVANEWS/ Ka ngjallur interes publik një sfidë publike që gazetari dhe publicisti Mustafa Nano i bëri kreut të opozitës Lulzim Basha nga studio e “Top Story”, për të shkuar në çadrën e protestës dhe për të mbajtur aty një fjalë. Në atë dialog në distancë, Nano i kërkoi Bashës që ishte i shoqëruar prej tij në momentin e fjalës, gjatë të cilës gazetari deklaroi se dëshëronte të shprehte përkahjen për qëllimet bazë të protestës, por edhe të kumtonte disa mendime të tij më të përgjithshme rreth opozitës, PD e rolit të saj etj.
Javanews pyeti para pak minutash Mustafa Nanon rreth perspektivës së një takimi të tillë kurioz të një kritiku të ashpër të opozitës dhe përkrahësve të saj, nën hijen e çadrës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. “Kam vendosur të mos shkoj në çadër, tha Nano për Javanews. Zoti Basha më ka telefonuar, duke më njoftuar se duheshin përgatitur kushtet për ardhjen time në çadër, pasi aty kishte, sipas tij, një rend dite të paracaktuar”. Nano thotë se nuk e ka besuar këtë justifikim, por më pas Basha i ka ofruar që fjalën e tij ta mbante në formën e një debati me një analist ose gazetar që mendonte ndryshe nga ai.
Në këtë pikë, tha Nano për Javanews, kam vendosur të mos shkoj në çadër. “Unë i kërkova zotit Basha atë natë, që të jem i shoqëruar prej tij. Kjo gjë m’u premtua edhe nga zoti Basha, kurse tani shoh që premtimi u ndryshua rrugës dhe në këto kushte unë preferoj të mos shkoj”, deklaroi Mustafa Nano, duke shtuar se nuk i di arsyet e këtij vendimi te ri nga ana e kreut të opozitës.