Unë i trishtuar, pse? Nuk ndjehem aspak i trishtuar. Kjo çadër për mua është një zgjidhje ekzotike e lidershipit të PD-së, për ta kaluar vëmendjen e publikut nga SHQUP-i , që po harrohet, në qendër të bulevardit kryesor të Tiranës. Ata u detyruan për ta bërë këtë manovër, pasi gjatë pothuaj 4 vjetëve në opozitë u mburrën për protesta masive dhe asgjë s’arritën të bëjnë, se shumë pak i dëgjonin. Tani e sollën SHQUP-in në bulevard, për ta patur më të thjeshtë “kontaktin me masat”. Kjo zgjidhje ekzotike ka mbledhur më shumë dhe mediat, që kanë hapur rubrika për “të rejat nga çadra”.
Ta bëra këtë pyetje se ju kini qenë shef i Shërbimit Informativ Kombëtar, zoti Klosi…
Mirë bëtë, miku im Xhevdet, por me shërbimin informativ nuk ka të bëjë fare kjo protestë. Sidomos, nuk ka të bëjë fare me teoritë konspirative që i kanë shumë për dëshirë gazetat. Sepse çfarë të fshehte ka në atë protestë? Asgjë. Është një nga protestat më absurde që në kemi parë pas përmbysjes së regjimit komunist. Ndaj dhe mendoj se nuk e meriton as vëmendjen më minimale.
Sidoqoftë, i nderuar miku im Fatos: A ka kauzë kjo opozitë të protestojë për zgjedhje të lira aktualisht?
Ky është problem i vërtetë i çadrës. Ajo është ngritur mbi hamendësira dashakeqëse. Unë nuk kam dëgjuar gjer më tani nga kurrëkush, as nga ata të çadrës, se ka ndonjë situatë konkrete, se është zbuluar gjë, se…, që tregon se zgjedhjet janë “programuar” , për të mos qenë të lira. Hipotezat se hajdutët e zgjedhjeve militojnë në PS, se me paratë e hashashit do blihen apo vidhen zgjedhjet, janë vetëm hamendësira, pa asnjë bazë, por sidoqoftë që nuk duhen neglizhuar nga institucionet që kanë për detyrë të organizojnë zgjedhjet. Për mua janë më shumë teza për të justifikuar çdo zullum të mundshëm më vonë si dhe rezultatin negativ për PD.
Kush mendoni se e dirigjon këtë aksion opozitar dhe pse?
Lidershipi i PD, ai që është përgjegjës për gjendjen e PD, për faktin që ajo e ka humbur tashmë mbështetjen e dikurshme të elektoratit. Sipas mendimit tim, PD me mirë apo keq, po e mbyll ciklin e saj jetësor. Lindi si një parti e protestës së popullit kundër regjimit totalitar, vazhdoi si parti që udhëhoqi të gjitha ndryshimet e nevojshme ligjore dhe organizative, për të ngritur shtetin e ri. Por, që në hapat e para të kësaj pune, filloi degradimi i saj, rendja pas populizmit, pas votës, pas zgjidhjeve të shpejta , pas intresave të grupeve drejtuese dhe sidomos pas kultit të drejtuesit të saj.
Pas 5 vjet qeverisje të shëmtuar, populli me votën e qershorit 97, e largoi nga pushteti. Pas një qeverisje të papërgjegjshme të socialistëve, PD erdhi prapë në pushtet në vitin 2005. Qeverisën për 8 vjet me zullume të mëdha, duke shkelur hapur ligjet e vendit. Po përmend 3 nga dhjetëra të tillë: Rrugën e Kombit, Gërdecin dhe 21 janarin. Dhe populli i përzuri në zgjedhjet e 2013. Çfarë ju ka mbetur akoma për të bërë, se s’dinin apo nuk patën kohë në këto 13 vjet, që ishin në pushtet . Dhe udhëheqësi i ri, Z. Basha ka qënë për 8 vjetët e qeverisjes së fundit, në kupolën e Partisë, prandaj nuk pres dot gjë të re prej tij. Kanë ndonjë ide që nuk e zbatuan dot se nuk u doli koha? S’e besoj, dhe sidomos kur shoh se kush ka mbetur në lidershipin e Partisë. Prandaj them kjo Parti e ka mbyllur ciklin e saj jetësor me këtë lidership.
Duke e ndjerë se metodat e vjetra të luftës nuk përshtaten me kohën, se premtimet absurde që po bën lideri i ri nuk po besohen, po ndjejnë aromën e humbjes dhe prandaj shpresojnë të krijojnë, brenda dhe jashtë, iluzionit e zgjedhjeve të vjedhura.
Po qëndrimi indiferent i Edi Ramës ndaj kësaj proteste, a është i justifikuar?
Nëse do ta mbante deri në fund këtë qëndrim, do t’i shtrëngoja dorën. Kryeministri i vendit nuk mund t’i nënshtrohet çdo shantazhi, që po bën dhe mund të bëjë opozita. Opozita po kërkon “qeveri teknike”, që qenka, sipas saj , zgjidhja për zgjedhjeve të lira.
Sidoqoftë, Fatos, ju nuk mund t’ia mohoni të drejtën opozitës që të vijë në pushtet. Jemi në demokraci apo jo?
Kush e vuri në dyshim këtë? Le të vijë opozita në pushtet, por nëse e meriton, nëse fiton besimin e shumicës së popullit. Unë jam skeptik me këtë opozitë… Kjo opozitë, unë mendoj se po vdes në atë çadër në bulevard.
Pse? Ç’të keqe ka për shembull të krijohet një qeveri teknike para zgjedhjeve të ardhshme?
Sepse është fare false si tezë. E para: sepse po qe se populli ka vendosur të bëjë rotacion, e bën si në 2005 dhe 2013, edhe pa qeveri teknike. Unë kam qenë në KQZ në zgjedhjet e 97 dhe nuk pashë që qeveria të ishte kaq e rëndësishme në zgjedhje. E dyta: krijimi i një qeverie teknike nuk bëhet sa herë që opozita nuk e ka mirë punët dhe hedh “shashkën” e qeverisë teknike. Le të kujtojmë praktikën tonë gjatë këtij tranzicioni të zgjatur. Qeveria e parë teknike tek ne është provuar në fillimet e tranzicionit, kur shteti i vjetër ishte shembur dhe i riu akoma nuk ish ngritur. Ndërkohë, Partia e re e krijuar (PD) , e kish acaruar në kulm situatën politike, me qëllimin e thjeshtë për ta shfrytëzuar kaosin e krijuar, për të ardhur sa më shpejt në pushtet. Qeveria e shpëtimit kombëtar (mars-korrik 1997) ishte një qeveri jo tërësisht teknike, por pluripolitike, ku merrnin pjesë të gjitha forcat politike të vendit. Dhe ajo u krijua në një situatë kaosi, kur armët kishin dalë nga depot, kur bandat bënin ligjin, kur….. Detyra e saj ishte ta çonte vendin në zgjedhje.
Situata e sotme nuk ka asgjë të përbashkët me ato të 91 dhe 97. Qeveria është e sigurt në Parlament, rendi publik është nga më të sigurtët e viteve të tranzicionit, bota na monitoron në mënyrë të shumëfishtë, e plot sigurira të tjera. Nevoja për qeveri teknike, sipas çadrës, lidhet me një situatë hipotetike të hamendësuar, që e pranoka dhe një “nëpunës i Administratës Tramp” apo dikush nga partitë popullore europiane. Janë shaka fare bajate dhe pa kripë….. Dhe gjithë kjo kërkohet në formë ultimatumi, se ndryshe nuk… Merreni me mend vetë pjesën tjetër të fjalisë. Dhe Kryeministri duhet ta pranojë këtë shantazh, për hatër të …. Do ishte shumë e gabuar.
Zoti Klosi, unë këmbëngul sërish: Cilat janë arsyet që e pengojnë Edi Ramën t’i hapë rrugë një qeverie teknike, sikurse kërkon opozita?
Precedenti absurd që do krijohej, kur sa herë që i teket, një force politike, e madhe apo e vogël, ngre një çadër në bulevard dhe mund të kërkojë çdo absurditet.
DITA
ma.me