Platforma shqiptare nuk është ashtu siç e përshkruan presidenti Gorge Ivanov. Ky ka qenë reagimi i BDI-së pas letrës që Ivanov u dërgoi ndërkombëtarëve e ku e cilësoi platformën si “tepër të rrezikshme për sovranitetin dhe unitetin e vendit”.
Por zv.kryetarja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Teuta Arifi sqaroi se ndryshe nga ç’pretendon Ivanov, platforma është hartuar në Shkup, ndërsa në Tiranë është kryer vetëm akti formal i firmosjes.
Ajo, sipas Arifit, merr në konsideratë gjuhën e folur nga nje pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të këtij vendi, flet për zhvillimin e barabartë të të gjithë qytetarëve dhe përpjekja për ta shndërruar në një element urrejtje është një papërgjegjshmëri serioze politike.
Çfarë përfshin platforma që po tremb kaq shumë Ivanovin?Me ndërmjetësimin e Tiranës, në 7 Janar të këtij viti, forcat politike shqiptare nënshkruan një marrëveshje, ku kërkojnë arritjen e barazisë së plotë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën, zbatimin e multietnicitetit në Kushtetutë, ku shqiptarët të njihen si popullsi shtetformuese.
Një nga pikat kryesore dhe më të debatuara të platformës është ajo e barazisë së plotë gjuhësore, çka do të bënte të mundur përdorimin e Gjuhës Shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes, transmeton tch.
Shqiptarët kërkojnë gjithashtu një debat gjithpërfshirës mbi flamurin, himnin dhe stemën shtetërore të Republikës së Maqedonisë në mënyrë që simbolet të reflektojnë natyrën multientike të vendit. Objektiv tjetër është arritja e barazisë ekonomike dhe e mirëqenies shoqërore, sidomos nëpërmjet zhvillimit të barabartë rajonal, përgatit Express. (b.an)