Sot mbushen plot 126 vjet që nga dita kur në qytetin e Korçës u hap Mësonjtorja e Parë Shqipe, një ngjarje me rëndësi madhore në përpjekjet e popullit shqiptar për të krijuar shkollën e vet kombëtare.
Hapja e shkollës së parë shqipe, 7 Mars 1887 në Korçë kurorëzoi me sukses një nga detyrat kryesore të lëvizjes sonë kombëtare, atë të përhapjes së arsimit në gjuhën amtare, për të cilën dhanë kontributin e tyre edhe vëllezërit Sami e Naim Frashëri.
Shkolla kishte si detyrë që nëpërmjet përhapjes së gjuhës shqipe të ndihmonte në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, në rritjen e përpjekjeve të shqiptarëve për autonomi.
Nga struktura dhe përmbajtja e mësimit “Mësonjëtorja e Parë” ishte një shkollë e përparuar. Veprimtaria e saj përshkruhej nga fryma patriotike, nga dëshira për dije dhe edukata e punës.
Tekstet e përdorura në shkollë si; abetarja e gramatika e Sami Frashërit, aritmetika e Jani Vretos, historia e Naim Frashërit etj. si vepra të rilindasve të shquar, dalloheshin për frymën e shëndoshë dhe përmbajtjen patriotike.
Shkolla pati ndikimin e vet jo vetëm në Korçë, por në të gjithë vendin. Vetëm 7 ditë pas saj, u çelën shkolla shqipe në qytetin e Pogradecit, në Ersekë e në Ohër, si dhe u shtuan përpjekjet për çeljen e tyre në krahinat e tjera. Në 23 tetor të vitit1891, në Korçë u çel Shkolla e Vashave, e cila krijonte mundësi për të marrë arsim në gjuhën amtare dhe femra shqiptare dhe që si një forcë e madhe shoqërore të hynte në rrugën e përparimit.
Përhapja që mori në vendin tonë, mësimi i gjuhës amtare pas çeljes së Mësonjtores shqipe të Korçës, bëri që shkolla të hynte në histori si pionierja e arsimit tonë kombëtar dhe dita e çeljes së saj të bëhet festë kombëtare. Mësues dhe drejtori i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Edhe pse në kushte të vështira, kur ndalohej mësimi i gjuhës shqipe, ajo qëndroi e hapur për 15 vjet.
Në përkujtim të krijimit të Mësonjëtores së parë shqipe me vendim të Qeverisë Shqiptare, në vitin 1960 u vendos që 7 Marsi të njihet si “Dita Kombëtare e Mësuesve”.
Çdo vit, 7 Marsi festohet në të gjitha shkollet e vendit me aktivitete të shumta në shenjë falënderimi për mësuesit për punën që kryejnë në edukimin e brezit të ri./a.m.