Ish-komandoja Alban Voda e ka kryer vrasjen e 66-vjeçarit Nesim Hoxha nën efektin e drogës, gjë që i ka sjellë edhe halucinacione, Të paktën ky dyshohet të jetë motivi që çoi në vrasjen makabre me thikë të pensionistit në fshatin Corrogunjë të Këlcyrës. Një përfundim i tillë vjen pas testit paraprak të kryer, por edhe nga dëshmitë e mbledhura nga Policia, ku 30- vjeçari njihej në zonë si përdorues droge.
Analizat përfundimtare për të vërtetuar një fakt të tillë pritet të kryhen në Tiranë në ditën e ardhshme. Një prej ekspertëve të grupit hetimor shprehet se ka dyshime që ai të jetë përdorues i rregullt i drogërave të forta, si kokainë apo heroina, që janë produkte që shkaktojnë gjendje halucinante.
Ndërkohë, neurologu nga Saranda, që e ka vizituar atë në ambientet e izolimit në Gjirokastër, konfirmon se autori i krimit ka qenë nën efektin e halucinacioneve gjatë momentit të goditjes me thikë ndaj Nesim Hoxhës.
Vetë 30-vjeçari nuk ka qenë në gjendje të flasë para oficerëve të Policisë Gjyqësore, të cilët kanë tentuar pa rezultat të mësojnë shkaqet që sollën agresionin e ish-komandos ndaj 66-vjeçarit. Vodës i janë gjetur ilaçe në xhep për të kuruar halucinacionet, të cilat hyjnë në kategorinë e lëndëve psikotrope dhe neuroleptike.
Sipas të dhënave nga grupi i hetimit, ai ka pasur pilula me përbërje lazeptine dhe glupemazine. Dyshohet se 30-vjeçari ka përdorur doza të larta të tyre, çka e kanë kaluar në gjendje të tillë sa të humbë vetëkontrollin. Ndërkohë, e vetmja dëshmi e ish-komandos ka qenë ajo që ka deklaruar në momentin e shoqërimit në drejtim të dhomave të izolimit në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës.
Gjatë gjashtë orëve të qëndrimit në ambientet e Komisariatit të Përmetit ditën kur ndodhi krimi, Alban Voda ka përsëritur një fjali të vetme, që 66-vjeçarin e goditi me thikë, pasi kërkonte ta mbyste me një kokërr ulliri.
Nuk dihet nëse kjo deklaratë e tij ka lidhje me ndonjë konflikt mes tij dhe pensionistit, apo është thjesht një iluzion i ish-komandos. Përsëritja e herëpashershme e kësaj fraze ka ngjallur dyshime tek efektivët, të cilët e kanë shoqëruar pasditen e të dielës në drejtim të Gjirokastrës.
Grupi hetimor i ngarkuar me këtë ngjarje, në orët e drekës të së hënës, ka çuar dosjen me prova konkrete drejt Prokurorisë së Përmetit për të marrë në pyetje të arrestuarin. Hetimet për këtë rast i ka ndërmarrë prokurori i Përmetit, Asllan Bajramaj, së bashku me oficerët e Policisë Gjyqësore.
Fill pas dorëzimit të dosjes hetimore në duart e Prokurorisë së Përmetit, në Gjirokastër kanë mbërritur oficerët e Policisë Gjyqësore, për të marrë në pyetje Vodën. Deri në orën 16:00, tentativa e tyre për të intervistuar autorin e vrasjes së Nesim Hoxhës ka rezultuar e pasuksesshme, pasi Voda ka qenë nën efektin e ilaçeve që përdori për qetësim.
Prokuroria e Përmetit në seancën e sotme gjyqësore për vlerësimin e masës së arrestit, pritet të kërkojë arrest në burg, ndërkohë që i akuzuari për vrasje, deri më tani, nuk është në gjendje të kërkojë ndihmën e një avokati dhe në këto kushte, shteti do t’i vendosë një të tillë në dispozicion. panorama
ma.me