Vazhdon periudha e artë e Armando Sadikut në kampionatin zviceran, ku sulmuesi i kombëtares shqiptare po shënon me një rregullsi të pabesueshme.
Futbollisti ka rezultuar përsëri vendimtar për skuadrën e Luganos, duke e ndihmuar që të marrë ndaj Lozanës një fitore të rëndësishme 2-1 e cila ngjit ekipin e drejtuar nga Paolo Tramexani në vendin e pestë në klasifikim
Sadiku arriti të shënonte golin e avantazhit për skuadrën e tij që në minutën e 6 të ndeshjes me një tjetër gjuajtje në hyrje të zonës që mposhti portierin kundërshtar.
Dukej se gjithçka do të ishte e lehtë për Luganon, por skuadra e Tramexanit u desh të djersinte për tri pikët, pasi Kampos realizoi golin e barazimit në minutën e 32-të. U desh goli i shqiptarit që luan për Maqedoninë, Ezgjan Alisokit, në fillimin e pjesës së dytë, që Lugano të fitonte këtë duel, shkruan Panorama Sport.
Ky ishte goli i katërt në 5 ndeshjet që Sadiku ka luajtur me Luganon në këtë fillim të pjesës së dytë të sezonit, një mesatare mjaft e lartë për sulmuesin shqiptar. Ai mendohej se do të kishte vështirësi të përshtatej me cilësinë e Superligës zvicerane pas dëmtimit dhe një gjysmë sezoni të kaluar në kategorinë e dytë. (b.an)