Ish-kryeministri Pandeli Majko deklaron në një intervistë për Top Channel se të dyja palët duhet të reflektojnë, pasi gjithë klasa politike sipas tij ka përgjegjësi për krijimin e historisë së të paprekshëmve.
“Ne nuk kemi pasur dhe nuk do kemi problemin me mënyrën se si mund të qeverisin politikanët. Politikanët janë njerëz që mund të gabojnë. Problemi që ka pasur Shqipëria është që kur është gabuar nuk është vepruar, sepse kjo është drejtësia dhe përfaqësuesit e saj. Duhet thënë që ne kemi krijuar një histori të paprekshmish në politikën shqiptare, sepse ne kemi emëruar gjykatësit. Tani sistemi ka ndryshuar dhe ç’është më e rëndësishmja ka ndryshuar edhe me votat e opozitës”, deklaron Majko.
Majko thotë se qeveritë teknike nuk u kanë dhënë asnjëherë zgjidhje problemeve në Shqipëri dhe nënvizon se reforma në drejtësi është një operacion jo vetëm për një palë zgjedhje.
“Nuk mund të vish në dialog me një qeveri duke thënë se dialogu fillon nga largimi yt. Të dyja palët kanë vend për të reflektuar. Qeveria teknike duhet rishikuar në kuptimin më të mirë të fjalës. Ajo nuk i ka zgjidhur asnjëherë problemet”, thotë Majko.
Top Channel: Jemi një ditë dhe pak orë nga seanca parlamentare për vettingun, si mund të zhbllokohet kjo situatë?
Majko: Kjo situatë mund të zgjidhet me pjesëmarrje. Ka momente kur partitë janë të dobëta, por dobësia nuk mund të shprehet me pjesëmarrje. Kjo që po diskutojmë sot nuk është për një palë zgjedhje, reforma në drejtësi që ka nisur sot do të ketë të bëjë me një brezë të tërë. Një brez që në këtë moment shpreh reflektimin për gabimet që janë kryer.
Top Channel: Mendoni se opozita do të hyjë në zgjedhje kur nuk plotësoni asnjë nga kërkesat e saj?
Majko: Të jem i sinqertë, besoj se po. Nuk mund të konceptohet që partia që krijoi pluralizmin në Shqipëri tani të thotë se nuk bëhem pjesë e këtij sistemi.
Top Channel: Në të njëjtat kushte ju morët nismën vite më parë për të takuar zotin Berisha, a do t’i sugjeroni zotit Rama të bëjë të njëjtën gjë me zotin Basha?
Majko: Nuk besoj se situata e sotme në Maqedoni është e barazvlefshme me situatën që ka qenë dikur në Kosovë.
Top Channel: Nga kërkesat e opozitës, cila ju duket më realiste?
Majko: Shqetësimi për standardet e zgjedhjeve. Besoj se është absolutisht real. Çdo opozitë e ka këtë problem dhe mendoj se në tryezën e bisedimeve ky problem mund të zgjidhet.
Top Channel: A duhet të ndërmarrë nismë kryeministri që të takojë liderin e opozitës?
Majko: Ftesën që është zhvilluar pas takimit të koalicionit e interpretoj si një ftesë për të ulur të dyja palët.
Top Channel: Duhet të jetë një takim emergjent?
Majko: Nuk është problemi tek emergjenca, por ka çështje emergjente që duhen diskutuar dhe zgjidhur njëkohësisht.
Top Channel: Mes zotit Rama dhe zotit Basha?
Majko: Besoj pa shmangur asnjë nga aktorët e tjerë të parlamentit. këtë duhet ta them.