Pas vënies në zbatim të Recetës Elektronike dhe Nënshkrimit Elektronik, Referimi Elektronik është hapi i radhës i Ministrisë së Shëndetësisë për jetësimin e programit të Shëndetësisë Elektronike. Kështu njofton ministria e Shëndetësisë sipas së cilës prezantimi i sistemit të ri të njohur si “e-Referral” u bë në një takim të organizuar me mjekët, infermierët dhe punonjësit e sistemit të kujdesit Parësor shëndetësor të Tiranës dhe drejtues të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
I pranishëm në këtë takim, ministri Ilir Beqaj theksoi se të gjitha këto projekte përveçse do të jenë një ndihmë e madhe për vetë punën e mjekëve, do të lehtësojë gjithashtu edhe qytetarët, si dhe do të rrisin edhe më tej besimin e njerëzve tek sistemi shëndetësor në vend.
“Unë besoj se të gjitha projektet bashkë do të fillojnë t’ju ndihmojnë në punën tuaj, do të lehtësojnë qytetarët, dhe përgjithësisht, do të fillojnë të japin një imazh më të mirë për të gjithë sistemin. Dhe, besoj se imazhi i mirë i sistemit, besimi që do të rritet tek shqiptarët për kujdesin shëndetësor, do të lehtësojnë punën tuaj”, u shpreh Beqaj.
Ministri bëri të ditur se investimet e kryera deri më sot, së bashku me ato që janë në zbatim e sipër dhe që pritet të fillojnë së shpejti për digjitalizimin në shëndetësi, arrijnë në total vlerën e konsiderueshme prej 36 milionë eurosh.
“Praktikisht, për çdo shqiptar kemi shpenzuar dhe po shpenzojmë 12 euro vetëm për digjitalizimin,” theksoi Beqaj. /b.d