Nuk e përballoi dot ngarkesën psikologjike pas ndarjes nga e fejuara dhe mbylljes së biznesit, i jep fund jetës duke u vetëdjegur para apartamentit të ish-vjehrrës së tij, raporton “Panorama”.
Policia e Korçës bëri të ditur se Olgert Miho, 38 vjeç, ka gjetur vdekjen, pasi u vetëdogj me benzinë në një pallat në lagjen nr.18, në qytetin e Korçës.
Ngjarja e rëndë, që solli edhe plagosjen e ish- kunatës së 38- vjeçarit, ka ndodhur dje, herët në mëngjes. Paraprakisht dyshohet se viktima ka qenë i dehur në momentin e kryerjes së aktit të vetëflijimit.
“Rreth orës 05:30, në lagjen nr.18, në Korçë, është vetëdjegur me benzinë në banesën e ish-vjehrrës së tij shtetasi O.M., 38 vjeç, banues në Korçë. Nga hetimet e kryera rezulton se ky shtetas në sheshpushimin e pallatit ka lyer veten e tij dhe më pas një pjesë të sasisë së lëndës djegëse (benzinë) e ka hedhur poshtë derës së banesës, brenda së cilës ndodheshin ish-vjehrra, shtetasja D.Ç., 58 vjeçe, si dhe ish-kunata e tij, shtetasja G.I., 28 vjeçe. Për pasojë shtetasi O.M. ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Gjithashtu ka marrë djegie trupore shtetasja G.I., e cila ndodhet në Spitalin e Korçës nën kujdesin e mjekëve, si dhe është djegur pothuajse e gjithë hyrja e apartamentit në pronësi të 58-vjeçares”, bëri të ditur dje Policia e Korçës.
Në vendin e ngjarjes grupi hetimor ka gjetur dy shishe të benzinës dhe një shishe me pije alkoolike, të cilën dyshohet se e ka konsumuar te dera e banesës së ish-të fejuarës së tij me të cilën ishte ndarë një muaj më parë.
Sipas të dhënave nga grupi hetimor, pasi ka marrë dy shishe me benzinë, 38- vjeçari ka lënë në cep të pallatit motorin e tij dhe është ngjitur në katin e 5-të, ku në sheshpushimin e pallatit ka nisur të hedhë benzinë mbi veten e tij.
Ai është pozicionuar në afërsi të derës së apartamentit ku jetonte familja e ish-të fejuarës, çka ka bërë që lënda djegëse të përhapet edhe te një rrugicë prej cope që ishte vendosur para derës prej druri.
Në momentin që Olgert Miho i ka vendosur zjarrin vetes, flakët janë përhapur edhe në drejtim të banesë s ku ndodhej ish-vjehrra dhe ish-kunata me fëmijë n e saj të mitur, çka ka bërë q ë të përfshihet edhe apartamenti . Personi i parë që është zgjuar ka qenë 28-vjeçarja. Por sapo ka dalë në korridor, ajo është përballur me flakët. Më pas një pjesë nga suvaja e tavanit është shkëputur duke i rënë asaj në trup.
Të bërtiturat kanë zgjuar nënën dhe fqinjët, të cilët kanë nisur të shuajnë zjarrin dhe kanë lajmëruar edhe zjarrfikësen e ambulancën. Shkak për ngjarjen, sipas të dhënave, është bërë ndarja e të riut rreth një muaj më parë nga e fejuara Danjela I. Çifti për rreth dy vite kishte jetuar në Tiranë, ku kishin nisur jetën e tyre.
Sipas familjarëve, Olgerti kishte hapur edhe një biznes të tijin, lokal, por disa muaj më parë ai e kishte mbyllur pasi kishte falimentuar. Kjo dyshohet të jetë bërë edhe shkak i konflikteve mes çiftit, pasi ata ishin në vështirësi financiare. Veç problemeve me biznesin dhe konflikteve në çift, situata psikologjike e 38- vjeçarit ishte rënduar më tepër rreth 4 muaj më parë, kur nëna e tij kishte shfaqur probleme të rënda shëndetësore.
Grindjet e vazhdueshme kanë sjellë edhe ndarjen e çiftit. Rreth një muaj më parë, Olgerti kishte marrë rrobat dhe ishte kthyer në qytetin e Korçës, në pamundësi për të përballuar jetesën në Tiranë./a.m.