Prej 22 vitesh në Korçë jeton një familje nga Santa Lucia, një nga ishujt e Karaibeve. Kelly Daniel bashkë me vajzat Kellian dhe Katherina ishin të ftuar në “Pasdite në Top Channel” ku treguan të gjithë rrugëtimin e tyre në Shqipëri.
“Për herë të parë kam ardhur në vitin 1990 atëherë ishte janar, dimër dhe unë isha me pantallona të shkurtra. Jam futur brenda në aeroport vesha dy palë xhinse, tre palë çorape, tre bluza dhe një xhaketë, s’kisha parë dimër kurrë” tha Kelly, i cili vendosi që e ardhmja e fëmijëve të tij të ishte në Shqipëri.
Ndërkohë përfundimisht ai u vendos në Shqipëri në vitin 1995. “Kur kam shkuar për herë të parë në Korçë të gjithë thanë erdhi Michael Jackson. Vini më preknin flokët, lëkurën, njerëzit ishin shumë të habitur sepse s’kishin parë kurrë një njeri me ngjyrë në vendin e tyre”, tha Kelly në Pasdite në Top Channel.
Familja Daniel u bë e njohur pas pjesëmarrjes në “The Voice of Albania” të dy vajzave Kellian dhe Katherine. Ato treguan në studion e “Pasdite në Top Channel” se si i kanë kaluar vështirësitë dhe paragjykimet jo të pakta në qytetin juglindor.
Sa I përket të ardhmes, Kelly duket i vendosur për të qëndruar edhe disa kohë larg ishujve të Karaibeve, por vajzat kanë më shumë dëshirë për tu larguar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të vazhduar shkollën dhe jetën atje.
“Jemi shumë të lumtura që prindërit tanë erdhën në Shqipëri. Nuk i gjykojmë për këtë vendim. Por mendojmë të largohemi në të ardhmen për të vazhduar edhe karrierën jashtë Shqipërisë”, thanë motrat Daniel në “Pasdite në Top Channel”./b.d