Nga Ben Andoni
Paradoksi i 2 marsit 2017 është se pikërisht me këtë datë, plot 20 vjet të shkuara, ish-presidenti Berisha, i sapozgjedhur, mendoi të ndëshkonte popullin e tij, me një akt të paprecedent, duke shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe duke ndërsyer të gjithë strukturën e tij burokratike ndaj popullit të vet. Dhe, ironia është më e thellë në këto ditë, ku mu në atë vend, ku u fol kundër popullit, tashmë po bëhen përpjekje të manipulohen njerëzit në kahun e kundërt prej…Berishës &Co.
“Presidenti i atëhershëm pa se i shkau gjendja dhe se strukturat e shtetit të tij nuk iu përgjigjën retorikës së tij që duhet thënë se ishte tejet e gabuar dhe e pafuqishme para situatës që kishte krijuar ai vetë dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për Shqipërinë, kundër popullit të tij. Por ky vendim mbetet qesharak sepse Shqipëria është vetë populli i saj”, shprehet Klosi për Javanews.
Por le të kthehemi pak me invers. Që nga 1 marsi i vitit 1997, Vlora ishte në kaos dhe nën pushtetin e bandave dhe njerëzve pa shpresë, trafikantët ishin të lirë. I gjithë territori u vu nën pushtetin e armëve dhe Shqipëria ishte një vend gati i shpërbërë në lajmet kryesore të gjithë botës.
Ajo që përflitej asokohe po bëhej realitet pasi nisi shpërthimi masiv i depove të armëve dhe largimi masiv drejt Italisë i trupit diplomatik dhe i shumë civilëve. Vetë qeveria e Aleksandër Meksit u shpërbë, kurse Kuvendi shqiptar me një akt të paprecedent shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në të cilin përfshihej edhe ndalim qarkullimi nga orët e mbrëmjes deri në mëngjes. Berisha, ndërkohë, bëri betimin e dytë si president para një aradhe deputetësh të çmeritur, në një parlament ilegjitim, pas votimeve të kontestuara të 1996.
Po në të njëjtën ditë Kuvendi miratoi ligjin që bashkonte edhe de jure Shërbimin Sekret me Ministrinë e Brendshme kurse Kryetari i SHIK Bashkim Gazidede u emërua kryetar i operacionit me togfjalëshin qesharak për normalizimin e situatës! Ndërkohë prej ditësh, ai ishte njeriu më i fuqishëm në Shqipëri.
Famëkeqi Gazidede veproi si i plotfuqishëm dhe urdhrat e tij do t’i shkonin situatës së krijuar prej tyre. Ai urdhëroi mbylljen e shkollave në mbarë vendin deri në një afat të pacaktuar. Njerëzit filluan furnizimet, kurse kaosi e pushtoi të gjithë Shqipërinë, me imazhet që sot të bëjnë të turpërohesh paq.
Nata e 2 Marsit do ishte kurorëzimi më i mirë i asaj që kishte gatitur Berisha prej javësh, muajsh dhe vitesh. Atë ditë ishte rizgjedhur me 104 vota në një parlament krejt ilegjitim si president i vendit, ndërsa Shqipëria prej javësh digjej dhe shteti kishte humbur kontrollin, e saj. Pa asnjë moral politik, mazhoranca e asaj kohe edhe kundrejt të gjithë presionit mbarëkombëtar, jo vetëm kishte manipuluar turpshëm votat e zgjedhjeve të vitit 1996, por vazhdonte të mbante një pushtet që nuk i takonte. Ky fenomen do të zgjasë për shumë kohë në Shqipëri, ku forcat politike do të ndryshojnë ngjyrat por jo idetë dhe moralin e tyre, që përkthehet vetëm përfitim me çfarëdolloj kushti.
“Në fakt, Sali Berisha s’ka moral politik sepse edhe politika shqiptare, pjesë e të cilës është ai nuk ka moral. Ajo ka vetëm interesa që të shtyjë qeverisjen e saj. Në fakt është një pyetje që ai duhet pyetur më shumë”, kujton sot Fatos Klosi për Javanews.
Orët e darkës së dy marsit ishin kohë frymëmarrje e pakët e militantëve të frikshëm të PD-së, që po bënin raprezalje në të gjithë vendin.
Deri më atëherë në janar në Lushnje regjimi i Berishës ishte katandisur keq nga reagimi popullor dhe më keq në shkurt në Vlorë, por Berisha nuk dinte të ndalej. Duhet të fitonte kohë.
Bodigardi i tij Izet Hazhia do të kujtojë pak kohë më parë sesi bënë veprimin më brutal të asaj kohe ndaj medias, kur u përpoqën t’i mbyllnin gojën, “Kohës sonë”. Gjenerali i sapoemëruar Bashkim Gazidede u ngarkua nga presidenti Berisha, që t’u tregonte vendin gazetës “Koha jonë”. Nga faqet e kësaj gazete ishte nxitur sipas tij rebelimi i kuq në Jug. Ajo pasdite korrespondonte me punën në terren të Shaban Memisë, që bëri shpërndarjen e armëve të dhëna nga SHIK-u për militantët e PD-së.
Në orën dy të natës ekspedita ndëshkuese me rekrutët e sapoarmatosur të Shabës dhe pjestarë të policisë rrethuan e sulmuan këtë gazetë. E kam ndjekur në distancë këtë akt vandal sepse nuk duhej të dukesha, pasi ngaqë njifesha kompromentoja këtë veprim terrorist edhe pse me të thënë të drejtën duart me hanin për të shkatërruar këtë fole “armiqsh” të popullit ku në të vertet ne po tregonim se ishim në armiqtë e medias së lirë, kujton Haxhia, që edhe pas thirrjeve të “Koha Jonë” nuk pranoi kurrë të nënshkruante dhe të noterizonte këtë dëshmi, që e implikon rëndë regjimin.
Në fakt, ajo që ndodhi ishte jo vetëm e trishtueshme, por edhe ogurzezë. E gjithë media e huaj do të shkruante dhe do të shprehej hapur për këtë situatë. Nëse kishte menduar se “Koha Jonë” do të zbutej, gaboi, sepse ajo u bë edhe më armiqësore me Berishën.
“Ajo që ndodhi në ditët e marsit ka qenë për mbrojtjen e pushtetit të tij dhe ishin kundër popullit. Ato ishin demonstratat të natyrshme të njerëzve të gënjyer mu nga ai presidenti i tyre që u tha se paratë janë të pastra dhe të sigurta dhe se lekët e shqiptarëve janë lekët më të pastra, kujton Klosi”.
Jo shumë vite më vonë, Sllobodan Millosheviçi, në bankën e të akuzuarve do të thotë se e gjithë ajo që ndodhi në Shqipëri ishte për efekt të asaj që do të ndodhte në Kosovë kundër ish-Jugosllavisë! Por atë kohë, njerëzit ishin jo vetëm të çmeritur me atë që ndodhte, kur pak herë ka ndodhur që partia e shtetit në fuqi të armatosë njerëzit e vet. Në Kavajë, bastion historik i PD-së, gati 5000 veta vullnetarisht armatosen për të mbrojtur qytetin prej ndonjë sulm i mundshëm nga bandat e armatosura!! Ndërkohë shpërthen burgu 313, duke lënë të lirë qindra kriminelë, por bashkë me të edhe individë të njohur si kryetari i PS-së Fatos Nano dhe ish-presidenti Ramiz Alia.
Shqipëria rrezikon deri drejt shpërbërjen. Në Jug futen lirisht zyrtarët grekë, duke hedhur hapur shashkat e tyre nacionaliste. Madje paradoksi arrin në Sarandë, kur nga disa pseudo shpallet autonomia duke u deklaruar se kjo u bë prej qenësisë të 20.000 grekëve. Pak orë më vonë MEGA do të lajmërojë se: “Sot grupe të armatosura në Jug të Shqipërisë ngritën për herë të parë flamurin e Vorio Epirit, kërkojnë ndarjen e pjesës së jugut nga pjesa tjetër e Shqipërisë, duke filluar nga Tepelena. Ndërsa dy ditë më pas në këto zona kapitulloi edhe ushtria dhe i gjithë jugu brenda datës 7 mars ishte i kapitulluar”.
Petro Koçi, politikan dhe zëvendësministër i Mbrojtjes do të tregojë se ishte e gjitha e tepruar. “Berisha shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe nxori ushtrinë për të penguar zgjidhjen demokratike të asaj që kërkoi populli. Ishte thellimi i krizës që e inincoi vetë dhe i asaj situate që përcolli atë ngjarje të jashtëzakonshme..”.
Jugu ndërkohë gëlon nga Komitetet e Shpëtimit, ku më të njohurat janë ato në Vlorë, Tepelenë dhe Memaliaj. Ndërsa në Shkodër studentët festojnë shpërbërjen e ushtrisë, në të njëjtën ditë më 4 Mars Komitetet në Sarandë, me në krye Arben Imamin, marrin anijet dhe patrullojnë në det.
Ajo që vazhdon është më mirë të mos kujtohet sepse përbën një njollë të zezë mbi vendin dhe një katran mbi Berishën, që po e mban sërish peng të politikës së tij vendin. Paradoksalisht, sot 20 vite më pas, gjithçka ka ndryshuar, por jo për sahatin e PD-së, që thërret sërish telashe, por tashmë me parullën e zgjedhjeve të ndershme, mu ato që ka përdhosur vazhdimisht. E ndjek kryetari i një opozite që bën thirrje dhe rrëzimin e Republikës së të majtëve. Mu në këto ditë, kur duhet të kishte pak reflektim morali
“Shpresoj që ai të bëhet me ndërgjegje dhe ta kujtojë këtë kohë. Por nuk e besoj sepse nëse do të ishte kjo, atëherë ai do të ndjente turp për këtë që po bën në këtë kohë”, thotë Klosi.
(Javanews)